
Mehaj takon komandantin e KFOR-it, pajtohen për thellim të bashkëpunimit
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur sot në një takim komandantin e KFOR-it, gjeneral major Franco Federici, me të cilin ka diskutuar për thellim të bashkëpunimit.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjeneral Federici ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, profesionalizmin e dëshmuar si dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit të deritashëm në shumë fusha në mes të KFOR-it dhe FSK-së.
Nga ana e tij, ministri Mehaj ka shprehur falënderimin për vizitën si dhe mirënjohjen e për misionin e KFOR-it në shërbim të sigurisë së vendit po edhe në sigurinë rajonale.
Ministri Mehaj ka siguruar gjeneralin Federici, se Ministria e Mbrojtjes do të jetë bartëse e politikave bashkëkohore të mbrojtjes mbi bazën e konceptit të integrimit në NATO.
Ndër të tjera, ministri Mehaj ka theksuar se FSK-ja do të vazhdojë avancimin në aftësi dhe kapacitete operacionale të nevojshme për përmbushjen e misionit dhe mandatit të saj.
Në fund të dy u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë për çështjet me interes të përbashkët.