
Mehmet Ballazhit i shkon për vizitë kryetari i PDK-së
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi është takuar të martën me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Ballazhi dhe Krasniqi kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Han të Elezit, ku kanë nderuar çlirimtarët e kësaj komune, e veçanërisht dëshmorin Veli Ballazhi, në 23-vjetorin e rënies së tij, bashkë me Mujë Krasniqin dhe shumë luftëtarë të UÇK-së.
“Kënaqësi vizita e sotme në Han të Elezit, ku frytet e qeverisjes së mirë të kryetarit Mehmet Ballazhi po vërehen që tani në dukjen e këtij qyteti, që ka marrë pamje festive. Kryetarit Ballazhi dhe ekipit të tij i urova suksese dhe punë të mbarë në jetësimin e vizionit dhe programit të tij për transformimin e këtij qyteti. Atë e përgëzova për vendimin e tij për përfaqësim gjinor të barabartë në qeverinë komunale, duke i emëruar katër vajza e gra në krye të drejtorive komunale, nga tetë sa janë gjithsej. Siç jemi zotuar para qytetarëve të kësaj komune, Hani i Elezit në qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të jetë më vetëm vendkalim, por do të bëhet vendqëndrim me perspektivë për banorët e vet. Bashkë me kryetarin Ballazhi bëmë homazhe edhe tek varrezat e dëshmorëve në Han të Elezit, ku nderuam çlirimtarët e kësaj komune, e veçanërisht dëshmorin Veli Ballazhi, në 23 vjetorin e rënies së tij, bashkë me Mujë Krasniqin dhe shumë luftëtarë të UÇK-së”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.