
Mehmetaj: Hipokrizi e LDK-së, e quajnë Kurtin të keqen më të madhe dhe e ftojnë në qeveri
Gazetari Lirim Mehmetaj ka kritikuar qëndrimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përballë ftesës së kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti për bashkëpunim politik.
Në Debat Plus, Mehmetaj e ka cilësuar si të pakuptimtë dhe hipokrite ofertën e Abdixhikut për krijimin e një qeverie tranzitore, në të cilën do të përfshihej edhe Kurti – të cilin vetë LDK e ka portretizuar vazhdimisht si “të keqen më të madhe për vendin”.
“Ju e keni konstatuar edhe vetë që Albin Kurti nuk ka respekt – dhe kjo është dëshmuar – për Kushtetutën e Kosovës, për ligjet e Kosovës, për prokurorinë e Kosovës. Kurse po i kërkoni të bëjë zotim në një marrëveshje politike. Sa sens bën kjo? Ai s’po shkon në prokurori, e ka shkelë Kushtetutën, i shkelin ligjet vazhdimisht, nuk e kanë dert. E po mendoni që e bëni Albin Kurtin të qëndrueshëm në raport me një deklaratë politike. Sepse propozimi për qeveri të tranzicionit nuk është kategori kushtetuese. Është propozim politik.
Shqetësimi kryesor është ky: Albin Kurti ka kërkuar me u taku me Abdixhikun, në letra Abdixhiku po i thotë ‘takohemi’. Albin Kurti i ka kërkuar takim, ky po pranon. Albin Kurti po kërkon qeveri, ky po pranon. Po pranon me qenë Albin Kurti në qeveri. A e di sa hipokrit del, me thënë ‘edhe është e keqja më e madhe e Kosovës’, edhe ‘hajde oj e keqja më e madhe e Kosovës të bëjmë mirë për Kosovën’. Plus, ke një farë gjuhe të përbashkët, se edhe Kurti kish pas thënë dje këtij: ‘hajde të bëjmë bashkë diçka për shtetin dhe shoqërinë’, edhe ky e pat: ‘hajde bëjmë bashkë për shtetin dhe shoqërinë’”, ka thënë Mehmetaj në Debat Plus.