
Mehmetaj reagon ashpër për licencimin në energji: “Shefi i Albin Kurtit nuk ka nevojë për fat – ai e ka shtetin në dorë”
Gazetari Lirim Mehmetaj ka komentuar deklaratën e Luan Dalipit, Shefit të Kabinetit të Kryeministrit Kurti, i cili e justifikoi përfshirjen e vëllait të tij në tregun e energjisë me fjalët “po e provon fatin”. Mehmetaj e shpartallon këtë narrativë me një analizë të ashpër, duke e cilësuar si përpjekje për ta mbuluar me terma të pafajshëm një model të pasurimit përmes pushtetit dhe lidhjeve familjare.
Më poshtë e gjeni postimin e tij të plotë:
Shefi i kabinetit të Albin Kurtit, Luan Dalipi, një milioner i krijuar pas luftës në Kosovë, paska thënë që kompania e tij, që tash po merr licencë për shit-blerje të energjisë, është një kompani si çdo kompani tjetër që po e provon fatin në treg të hapur.
Problemi “i nderuar” është se këtu s’kemi të bëjmë me çështje fati.
Sepse fat nënkupton një e ardhur e rastësishme jashtë përpjekjes individuale konkrete për të arritur diçka.
Kompania jote në treg të hapur kur ti punon me kryeministrin, i cili ka grup të Whats App-it për të kontrolluar tenderët në energji elektrike është ndërmarrje e përbashkët kriminale, e cila paranë e buxhetit të grumbulluar nga taksat e përkthen në para private në kontot e kompanive tuaja.
Arsyeja përse kompaninë milionëshe ia ke dorëzuar “de jure” vëllait për të kaluar në zyre të kryeministrit është pikërisht qasja që mundësohet përmes asaj zyre për kompanitë tuaja.
Se sa i shqetësuar je ti për shtetin, e tregon edhe rasti i vitit 2018 kur një zyrtar që ti e paguaje të nxirrte informata nga brenda ministrisë për të eliminuar konkurrencën dhe fituar tenderët përfundoi në burg për keqpërdorim detyre.
I njëjti u dënua me burgim, kurse ti u avancove në zyre të kryeministrit.
Pra, nuk është fat.
Fati na duhet neve vdekatarëve që puna individuale nganjëherë nuk përkthehet në financë të mjaftueshme për të mbijetuar në Kosovë.
Ne që kemi borxhe e kredi.
Ti më nuk ke nevojë për fat. Ti zotëri e ke Albin Sturjen e ai të ka ty.
Ju e keni blerë fatin me lekë. E keni kontraktuar për t’iu shërbyer.
Fati për ne të tjerët është i rastësishëm, kurse për ju punon.
Ama diçka dijeni, ne populli i Kosovës nuk kemi më as kohë, as mundësi e as resurse të krijojmë edhe një elitë të re milionerësh që pasurinë e krijuar e shpenzojnë për të ndërtuar familje-perandori.
Të jeni të bindur që lezetin aktual do ta keni të përkohshëm, kurse turpin publik të përjetshëm.
More hajnat e gubut që edhe vjedhni edhe krytë hava si gjeli n’pleh.