Meloni falënderon Ramën për marrëveshjen me emigrantët: “Grazie Edi!”

13 maj 2026 | 08:22

Një reagim ka ardhur mbrëmjen e së martës nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, lidhur me lajmet e botuara ditë më parë në mediat ndërkombëtare për një ndërprerje të mundshme të marrëveshjes së emigrantëve të Shqipërisë me Italinë në vitin 2030.

Deklarata u bë virale në disa media ndërkombëtare dhe u komentua gjerësisht pas një interviste të Ministrit të Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, në një media të huaj.

Pas reagimeve, fillimisht ka reaguar vetë ministri Hoxha, i cili është shprehur se deklarata e tij është keqkuptuar nga media, raporton “Euronews Albania”.

Hoxha tha se, gjatë një pyetjeje nga një gazetar në Bruksel mbi mundësinë e rinovimit të protokollit pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare, ai është përgjigjur se nuk ishte i sigurt, duke shtuar se deri atëherë Shqipëria mund të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata mund të jetë ndryshe.

Sipas tij, deklarata ka qenë thjesht një reflektim spontan dhe jo një vendim apo ndryshim i qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj marrëveshjes.

“Një sqarim i nevojshëm: Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: ‘Nuk jam i sigurt’, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe”, është shprehur Hoxha.

Më pas ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama lidhur me këtë lajm, duke thënë se protokolli mes dy vendeve mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë pasiguri politike për vazhdimësinë e tij.

“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, që po më kontaktojnë për një citim të keqinterpretuar nga një media pas intervistës së ministrit të Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj qartë dhe njëherë e përgjithmonë se protokolli ynë me Italinë do të qëndrojë në fuqi për sa kohë që Italia dëshiron”, është shprehur Rama.

Më pas ka ardhur edhe reagimi i kryeministres italiane, Giorgia Meloni, e cila ka shpërndarë postimin e Ramës, të cilin e ka shoqëruar me statusin: “Grazie Edi” (Faleminderit Edi).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot mbushen 27 vjet nga “Dita e Martirëve” në Korishë,…