MEMLI KRASNIQI!

13 nëntor 2025 | 13:35

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Dorëheqje shkaku i integritetit, jo Ramizit: Pas balotazhit kam qenë i sigurt se Memli Krasniqi, pavarësisht rezultateve do të japë dorëheqje. Kjo PDK, me këtë miell që e ka nuk mund ta gatuaj një pite më të mirë. Madje, nëse merren parasysh rrethanat që u krijuan, PDK-ja në kohën e Memli Krasniqit u nda shumë mirë, pabesueshëm mirë. Tash, qejfi është më i madh se Stambolli… Një parti që mbeti pa liderët emblematikë si Thaçi dhe Veseli është pritur të ketë rënie më të madhe e që nuk ndodhi me PDK-në në saje të një pjese idealiste të burgjeve dhe të luftës që, në heshtje ruajtën dhe mbrojtën shtyllën kombëtare të PDK-së dhe “kullerave”, siç u quajtën nga krokodilët pa dhëmbë veprues, Memli Krasniqi në nivel qendror dhe Uran Ismaili në atë lokal. Gjeneratat e vjetra me vështirësi i pranojnë ndryshimet e kohës shkaku se vuajnë nga reuma e karrierës prandaj përpëliten e përpëliten me qëllim të mos ketë lëvizje nga këneta e mosveprimit dhe mbijetesës personale dhe dostave, zvarranikë permanent. Memli kishte kundërshtime gerentoligjike (të pleqve partiakë) dhe kundërshtime të mediokërve përfitues dhe zhvatësve. Që nga lista për deputetë e deri për kryetarë të komunave. Nuk jam pajtuar që Ramiz Lladrovci të eliminohet, e kam thënë publikisht. Mirëpo, nuk mund të fajësohet Memli ekskluzivisht për faktin se është votuar dhe se shumica ishte kundër “vëllaut Ramiz”. Ramizi pastaj nuk zgjodhi mjete për ta fituar Drenasin dhe e fitoi. Jo si PDK. Prandaj nuk ka të drejtë morale dhe materiale të merret me PDK-në duke kërcënuar publikisht se do “t’ia thejë shpinën”. Merreni me mend! Doli gjithashtu publikisht duke kërkuar “kokën politike” të Memli Krasniqit por jo edhe të Albin Kurthit (përfitoi vota nga ai), Lumir Abdixhikut apo Ramush Haradinajt. Me këtë veprim Ramizi u bë “yll” i njerëzve më të ndytë të skenës politike kosovare, kryesisht të LV-së dhe qarqeve proserbe dhe projugosllave. Përnjëherë u kujtuan se qenka vëlla i heroit të kombit Fehmi Lladrovci dhe se qenka “Nëna e Patriotizmës..”. Prapa krahëve e përqeshin ligësisht. Ne, shokët e Fehmi Lladrovcit kur nuk iu kemi ndarë veprës dhe kujtimeve për Fehën pavarësisht klimës dhe zhvillimeve politike. Jo si “shoqet” e LV-së, emisare të Kurthit që drekojnë me Ramizin për të përfituar shujta politike. Në emër të gjyshit patriot me të cilin e lidhë vetëm mbiemri, asgjë tjetër. Është 100 për qind e kundërta e gjyshit, servile e Kurthit dhe Dejona Mihalidis. Pasi Ramizi ka marrë turr, për të mos e thyer qafën duhet dikush t’ia thotë një SHSHSHTË të madhe.

Për bindjen time Memli ka qenë në defansifë dhe pa mbrojtje efektive partiake në rastin e sulmit kriminal që e bënë besnikët e Kurthit në kutitë votuese në Mitrovicën e Jugut. Albin Kurthi ishte në krye të këtij inkursioni kriminal kundër vullnetit të votuesve duke ia vjedhur fitoren Arian Tahirit dhe duke e shpallur fitues një njeri të ligë dhe pa asnjë vlerë. Memli është dashur ta përzgjedhë një tjetër kandidat për Podujevë, Kamenicë dhe disa komuna tjera.

Çka pas kësaj: Memli Krasniqi është thuaja 20 vjet në PDK, aty edhe do të mbetet. Është luftëtar i rryer dhe i vendosur politik me integritet të shkëlqyer njerëzor, moral, kombëtar dhe politik. Me një edukatë të shëndoshë familjare. Prandaj vendimi për dorëheqje ishte e vetmja zgjedhje dhe zgjidhje që shkon me integritetin e tij të kompletuar.

Bedri Hamza është i preferuar i të gjithëve, si shpëtimtar i PDK-së për zgjedhjet e ardhshme. Ta shohim. Nëse PDK-ja nuk e bënë një ristrukturim të brendshëm ku cilësia do të mbizotërojë mbi klientelizmin dhe nepotizmin dhe ku gjithëpërfshirja do ta mund regjionalizmin, nuk do të jenë mirë punët.

Më gjerësisht në një shkrim tjetër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona nuk pritet të bëjë shumë lëvizje në afatin kalimtar…