
Memli Krasniqi dyshon se Kuvendi është konstituuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se konstituimi i Kuvendit “duket se ende nuk e ka marrë përgjigjen e plotë”, pavarësisht emërimit të nënkryetarit të pestë dhe të fundit.
“Unë mendoj që ka pasur hapësirë tjetër për konstituim legal ose kushtetues, sepse kryetari i Kuvendit mundohej të konsultohej me ata që i japim udhëzime në vend se të jepte interpretim. Ishte një konstatim se u është bërë konstituimi por si do të shkojë tutje mbetet të shihet”, ka thënë Krasniqi pas seancës.
Partia e tij nuk e ka votuar për Rashiqin, pasi ka zgjedhur të abstenoi, duke thënë se “qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë, ne kemi vendosur për të gjithë njëjtë, sepse ndryshe i bie të biem në grackën e Albin Kurtit që i ndan serbët sipas lojaliteteve të tij”.
Krasniqi ka thënë gjithashtu se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme “sa më parë”.
“Për neve është e rëndësishme që konstituimi të jetë final dhe të futemi në afate kushtetuese për formimin e qeverisë së re”.
“Duke e ditur se asnjëra palë nuk e ka shumicën parlamentare, besoj se ajo që është më rëndësishme tani, është ta gjejmë mekanizmin që na dërgon në zgjedhje të parakohshme sa më shpejt dhe pa vonesa. Shpresoj se do të ketë racionalitet mes palëve për të arritur pajtueshmëri për këtë”, ka thënë Krasniqi.