
Memli Krasniqi: Koalicioni LV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se seanca për konstituimin e Kuvendit ka dështuar për dy arsye. Arsyeja e parë sipas tij është se koalicioni i Albin Kurtit nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare. Ndërsa si arsye të dytë, Krasniqi e ka radhitur “insistimin” për të mbajtur postet qeveritare dhe për t’u betuar si deputetë.
“Larg manipulimeve dhe tymnajës që po tentohet të krijohet nga qeveritarët në largim, situata është më se e qartë. Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi sot për dy arsye të vetme: E para: Koalicioni VV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare, sepse vetëm 52 deputetë votuan sipas kërkesës së tyre. E dyta: Insistimi i tyre për të mbajtur pozitat qeveritare dhe njëkohësisht për t’u betuar si deputetë, pa dhënë dorëheqje zyrtare, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverinë, të cilin ligj e kanë hartuar vet”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Krasniqi e ka ftuar qeverinë në detyrë që të japë dorëheqje zyrtare nga postet qeveritare, të vijnë menjëherë në seancë që ta konstituojnë Kuvendit dhe pastaj të vazhdohet me fazat tjera për themelimin e qeverisë.