
Memli Krasniqi kritika Kurtit: Përveç urës 3-metërshe në Saradran të Istogut, asnjë projekt tjetër
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka hedhur këtë të diele akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, duke thënë se ka vendosur ta kaloj mandatin e saj vetëm me ndërtimin e urës 3-metërshe në Saradran të Istogut, dhe pa asnjë projekt tjetër që përmirëson konkretisht dhe denjësisht jetën e qytetarëve tanë, shkruan Reporteri.net.
Ai këtë punë të Qeverisë së Kosovës e krahasoi me atë të Maqedonisë së Veriut ku përmendi ndërtimin e korridorit 8 në Maqedoni të Veriut – autostradës që pritet të lidhë vendbanimet shqiptare prej Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Bokujçanit, Strugës e deri në Qafëthanë.
Postimi i Krasniqit:
Është lajm shumë i mirë fillimi i projektit për ndërtimin e korridorit 8 në Maqedoni të Veriut – autostradës moderne që pritet të lidhë vendbanimet shqiptare prej Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Bokujçanit, Strugës e deri në Qafëthanë.
Me një gjatësi prej 68 kilometrave, kjo autostradë me gjashtë korsi, do të ndikoj jashtëzakonisht shumë në lidhjen, afrimin dhe fuqizimin e shqiptarëve të cilët jetojnë nëpër këto qytete.
Përgëzoj faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni të Veriut, në krye me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, por edhe Zëvendës Kryeministrin Artan Grubi, të cilët po bëjnë një punë shumë të rëndësishme për shqiptarët që jetojnë atje.
Fatkeqësisht, të njëjtin ritëm të punës dhe zhvillimit nuk po e përjetojmë në Kosovë. Qeveria e cila është zgjedhur për të punuar, me përjashtim të urës 3-metërshe në Saradran të Istogut, ka vendosur ta kaloj mandatin e saj pa asnjë projekt që përmirëson konkretisht dhe denjësisht jetën e qytetarëve tanë.