Memli Krasniqi pas njohjes nga Siria: Kosova ka nevojë për më shumë diplomaci dhe miqësi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pasi Siria njohu Kosovën shtet. Ai ka shprehur mirënjohje për aleatët e Kosovës duke shtuar se vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces.
“Siria ka njohur pavarësinë e shtetit tonë, duke e çuar në 120 numrin e njohjeve ndërkombëtare. Mirënjohje për miqtë tanë që vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces”.
“Çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë, integrimit dhe ringritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, më shumë diplomaci dhe më shumë besim në vetvete. Vizioni izolues duhet të marrë fund, dhe vendi ynë duhet t’i rikthehet politikës së jashtme aktive, bashkëpunuese dhe dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët tanë strategjikë”, ka thënë Krasniqi.



