
Memli Krasniqi: Votoni numrin 191 dhe Edon Canën, për një Rahovec që ecë përpara
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar në Rahovec në mbështetje të kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune, Edon Cana.
Krasniqi, në një tubim madhështor në mesin e qytetarëve të Rahovecit, ka thënë se
Cana është kandidati larg më i përgatitur se të tjerët dhe garancia për një Rahovec më të zhvilluar.
“Edoni nuk po garon për pushtet në Rahovec, ai po garon për mundësi. Për mundësinë që Rahoveci të ecë përpara me dinjitet, me punë dhe me rezultate. Votoni për PDK-në, për numrin 191 dhe për Edon Canën kryetar, për një Rahovec që ecë përpara me besim, me guxim dhe me zemër”, ka thënë ai.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Rahovecit, Edon Cana ka falënderuar të gjithë për mbështetjen, duke u zotuar për transformimin e kësaj komune, me theks të veçantë zhvillimin e agroturizmit.
“Unë besoj në shpirtin e Rahovecit dhe ëndrra ime është që ky shpirt të ringjallet. E këtë mund ta bëjmë vetëm bashkë, me djemtë dhe vajzat ma të mira që i ka komuna jonë”, ka thënë ai.