Menaxhimi amerikan i Korridorit të Zangezurit alarmon Iranin

24 korrik 2025 | 07:56

Një propozim i Shteteve të Bashkuara për të vendosur Korridorin e propozuar të Zangezurit – një lidhje jetike midis territorit kryesor të Azerbajxhanit dhe enklavës së tij, Nahçivan, përmes jugut të Armenisë – nën menaxhim amerikan ka thelluar ndasitë në Kaukazin Jugor dhe ka shkaktuar shqetësim në Iran.

Në rrezik nuk është vetëm lidhja rajonale, por edhe rendi gjeopolitik përgjatë kufirit të ndjeshëm verior të Iranit.

Për Iranin, korridori 43-kilometërsh që kalon përmes provincës Sunik të Armenisë prek thellësisht llogaritjet e tij strategjike.

Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, paralajmëroi se ky plan do ta “privonte Iranin nga qasja e tij natyrore tokësore në Kaukazin Jugor përmes Armenisë”, duke e lënë të varur nga një rrugë “e kontrolluar nga Azerbajxhani apo nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai e quajti “goditje përfundimtare”, një hap drejt asaj që disa vëzhgues e quajnë “ngufatje gjeopolitike” të Iranit.

Nëse Bakuja merr kontrollin apo nëse vendoset një menaxhim i huaj, Irani do të humbte ndikimin mbi tregtinë në drejtim të veriut.

“Irani do të bëhej pothuajse krejtësisht i varur nga Azerbajxhani për tregti, jo vetëm me Kaukazin Jugor, por edhe me Rusinë dhe Evropën”, theksoi Azizi, duke paralajmëruar për një “goditje serioze ndaj pozitës gjeoekonomike” të Iranit.

Ai shtoi se shmangia e rrugës së Iranit përmes Armenisë po ashtu mund të zvogëlojë rolin e Teheranit në nismën “Brezi dhe Rruga” të Kinës, duke e dobësuar vlerën e tij si partner për Pekinin.

Siguria dhe rendi rajonal

Shqetësimi kryesor i Teheranit është i qartë: korridori mund të zgjerojë ndikimin turk dhe tani të sjellë një prani të drejtpërdrejtë amerikane.

“Shqetësimi kryesor në Iran është se një korridor i tillë do të shkatërronte njëherë e përgjithmonë çdo mundësi për përfshirje të Iranit në… transportin Lindje-Perëndim”, tha Azizi. Një rrugë e menaxhuar nga SHBA-ja e shton këtë ankth, duke vendosur interesat amerikane “drejtpërdrejt në kufirin verior të Iranit”.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur ndikimi i Rusisë në Kaukazin Jugor po zbehet për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndryshimeve në dinamikën e pushtetit që pas Luftës së Dytë të Karabakut. Irani, që më parë ndihej i sigurt duke mos e kundërshtuar Moskën, tani e sheh këtë zonë si të kërcënuar.

Me “opsione të kufizuara strategjike”, Teherani po angazhohet me të gjithë aktorët kryesorë, teksa po synon “bashkëpunim më të ngushtë politik dhe të sigurisë me Armeninë”.

Sipas Azizit, deklaratat zyrtare të Iranit dhe stërvitjet ushtarake që ka zhvilluar në atë zonë që nga viti 2021 kanë më pak të bëjnë me një përballje të drejtpërdrejtë dhe më shumë me dërgimin e sinjaleve se nuk është i gatshëm të pranojë një prezencë të huaj në kufijtë e tij.

Kontrolli, transiti dhe sovraniteti

Propozimi amerikan është pritur me kujdes në Jerevan dhe Baku.

Azerbajxhani e sheh korridorin si një lidhje jetike të transportit për në Nahçivanin dhe si pjesë të integrimit të pasluftës.

Armenia druan se mund të kërcënojë sovranitetin e saj dhe insiston se çdo rrugë duhet të mbetet nën kontrollin armen, duke u treguar e kujdesshme ndaj statusit të plotë të “korridorit”, i cili mund të nënkuptojë dorëzim të autoritetit.

Ndërkaq, Azerbajxhani është i vendosur se “nuk ka asnjë dëshirë për përfshirjen e ndonjë pale të tretë”, tha Richard Giragosian, drejtor i Qendrës për Studime Rajonale në Jerevan.

Për Bakunë, korridori ka të bëjë me qasjen e papenguar drejt Nahçivanit. Çdo mbikëqyrje e huaj – qoftë amerikane, evropiane apo ruse – do të ishte e papranueshme.

Propozim i vërtetë apo vetëm një manovër?

Për Uashingtonin, projekti vë në pah përpjekjet për të shfrytëzuar vakumin e rrallë të fuqisë në rajon, pasi ndikimi i Rusisë po zbehet në mes të përkeqësimit të raporteve mes Moskës me Bakun, por edhe me Jerevanin.

Giragosian u shpreh skeptik për planin: “Nuk e marr shumë seriozisht këtë propozim… skepticizmi përshkruan më mirë qëndrimin si në Baku, ashtu edhe në Jerevan”.

Ai e quajti një “marrëveshje të papërgjegjshme të pasurive të patundshme” dhe vuri në pikëpyetje nëse Uashingtoni e kupton vërtet kompleksitetin e rajonit.

“Ka të bëjë më shumë me përpjekjet për një [Çmim] Nobel për Paqe për presidentin Donald Trump… pa ndonjë përgatitje serioze dhe me pak gjasa për zbatim”.

Menaxhimi nga Rusia i rrjeteve hekurudhore të Armenisë dhe sanksionet perëndimore ndaj Moskës gjithashtu vënë në pikëpyetje mundësinë e realizimit të projektit.

“Do ta ndërlikonte situatën sepse… një kompani private amerikane do të hynte për të menaxhuar rrugën dhe hekurudhën, ndërkohë që këto janë në pronësi apo nën menaxhimin rus”, tha Giragosian.

Për Teheranin, debati për korridorin pasqyron ankthe të thella për rrethim, izolim dhe humbje të ndikimit.

Opsionet e Iranit për të kundërshtuar çdo projekt janë të kufizuara, edhe për shkak të humbjeve që ka pësuar në Lindjen e Mesme dhe për shkak të konfliktit që zhvilloi muajin e kaluar me Izraelin.

Teherani shpreson për një kundërshtim më të fuqishëm nga pala ruse ndaj pranisë perëndimore, por ndryshimet në balancën e pushtetit po e lënë Iranin me gjithnjë e më pak ndikim.

Ndërkaq, si Armenia ashtu edhe Azerbajxhani mbeten të kujdesshme për të mos dorëzuar kontrollin apo sovranitetin, duke u kapur fort pas vizioneve të tyre se çfarë duhet të jetë ky korridor.

Në fund të fundit, Korridori i Zangezurit është kthyer më pak në një rrugë transiti dhe më shumë në një pikë përplasjeje ku ndeshen vizione të kundërta për sovranitetin, ndikimin dhe rendin rajonal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vendimi i qeverisë gjermane, e udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz,…