Menaxhimi i mbeturinave spitalore në Kosovë nuk përputhet me standardet ligjore
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka publikuar raportin mbi gjendjen dhe menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë për vitin 2023-2024.
Nëpërmjet këtij raporti pasqyrohet të dhënat gjithëpërfshirëse mbi menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë.
Raporti pasqyron statusin aktual të menaxhimit të mbeturinave, sfidat kryesore, si dhe masat e rekomanduara nga institucione dhe autoritete përgjegjëse për të përmirësuar situatën mjedisore në këtë fushë.
Kjo analizë dyvjetore aspektet relevante lidhur me menaxhimin e mbeturinave në nivel kombëtar, duke përfshirë aspektet e grumbullimit, gjenerimit, trajtimit, riciklimit dhe asgjësimit të mbeturinave.
Në raport theksohet se mbetjet spitalore nuk ndahen dhe nuk trajtohen në mënyrë të veçantë sipas legjislacionit. “Supozohet se hidhen apo menaxhohen në mënyrë jo të duhur. Sa i përket mbeturinave farmaceutike, përfshirë medikamentet citostatike, këto deponohen në sasi të konsiderueshme në depo qendrore në Prishtinë, ndërsa një pjesë ruhet edhe në spitalet rajonale. Ky proces nënvizon rëndësinë e përmirësimit të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave spitalore dhe mjekësore për të minimizuar ndikimet mjedisore dhe shëndetësore”, thuhet në raport.
Po ashtu, në raport sqarohet se një pjesë e mbeturinave spitalore, kryesisht barnat me afat të skaduar dhe suplemente të ndryshme, asgjësohen në furra për shkrirjen e metaleve në kompani të certifikuara me leje mjedisore.
Ndërkaq, një tjetër grup i mbeturinave përbëhet nga mbeturinat patologjike, si placenta, embrione, amputime, lëngje trupore dhe të tjera, të cilat qendrat spitalore i trajtojnë përmes kompanive të kontraktuara.
Për të pasqyruar progresin në këtë sektor është përdorur metodologjia e krahasimit të të dhënave me vitet paraprake. Kjo metodologji mundëson vlerësimin e zhvillimeve dhe përmirësimeve në menaxhimin e mbeturinave në nivel lokal dhe kombëtar, duke nxjerrë në pah sfidat dhe pikat që kërkojnë përmirësim të mëtejshëm.
Ky raport ka rëndësi të veçantë për monitorimin e zbatimit të politikave dhe legjislacionit mjedisor dhe për ofrimin e informacionit të besueshëm dhe transparent për palët e interesuara, përfshirë institucionet shtetërore, komunitetin shkencor dhe publikun. AMMK ndërmerr këtë rol si pjesë e mandatit të saj ligjor për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së mjedisit në Kosovë, përmes ofrimit të informacioni relevant dhe transparent dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të qëndrueshmërisë mjedisore.
Një nga objektivat e këtij raporti është që të dhënat dhe të gjeturat e prezantuara në këtë raport të shfrytëzohen nga politik bërësit qoftë nga niveli qendror ashtu edhe nga niveli lokal, me qëllim që politikat e menaxhimit të mbeturinave komunale të planifikohen dhe të orientohen drejt.



