
Menaxhmenti i RTK-së: Riorganizimi i stafit s’ka karakter ndëshkues
Menaxhmenti i transmetuesit publik të Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e gjashtë gazetarëve, të cilët thanë se janë larguar nga moderimi i emisioneve dhe e vlerësuan vendimin si “përjashtim arbitrar dhe censurë alarmante” në Radio Televizionin e Kosovës.
Përmes një reagimi, menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës tha se janë ndërmarrë disa hapa për riorganizimin e stafit, me qëllim të rritjes së cilësisë së përmbajtjes, me fokus forcimin e kanalit informativ RTK3.
“Në këtë kuadër janë ndërmarrë disa riorganizime të stafit, të cilat janë vendime të natyrës menaxheriale dhe nuk kanë karakter ndëshkues apo disiplinor. Kontratat e punës së redaktorëve mbeten të paprekura. Detyrat e tyre lidhen me redaktim dhe mbikëqyrje editoriale, jo me moderim, ndaj lirimi i tyre nga ky rol është në përputhje me kontratat dhe rregulloret e brendshme”, u tha në njoftimin e menaxhmentit të RTK-së.
Menaxhmenti i transmetuesit publik tha se pretendimet për “censurë” apo “heshtje të zërit profesional” nuk qëndrojnë.
“Redaktorët vazhdojnë të kenë liri dhe të drejtë të plotë editoriale, të cilën e demonstrojnë përmes paraqitjeve publike në programet e RTK-së, si asnjëherë më parë. Ndonëse RTK aktualisht po funksionon në rrethana jo të zakonshme, kjo gjendje nuk do ta pengojë institucionin në avancimin e ofertës programore dhe përmirësimin e proceseve të punës”, u tha në njoftim.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) më 25 gusht dënoi atë që e cilësoi si “përjashtim arbitrar nga ekrani” të gjashtë gazetarëve të RTK-së: Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Arton Mulliqi, Edona Musa Mustafa, Jehona Zhitia dhe Valon Bajrami.
“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë vendim arbitrar të menaxhmentit të RTK-së, që paraqet një nivel të paprecedentë të censurës në transmetuesin publik”, tha AGK-ja.
Sipas AGK-së këta gjashtë gazetarë “janë ndëshkuar” për punën e tyre “të pandikuar politikisht dhe për ngritjen e zërit për vonesën e pagave”.
Të gjashtë gazetarët e RTK-së dolën me një reagim publik më 25 gusht duke kërkuar takim me menaxhmentin e transmetuesit publik, por thanë se nuk kishin marrë përgjigje pse është marrë ky vendim ndaj tyre.
“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional”, është thënë në reagim.
Ata thanë se ndërhyrja në skemën programore është vendim arbitrar dhe i paligjshëm pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka bord funksional.
Të gjashtë gazetarët kanë paralajmëruar se do t’i ndjekin rrugët ligjore për t’i mbrojtur të drejtat e tyre.
Javëve të fundit, transmetuesi i vetëm publik në Kosovë u përballë me krizë financiare për shkak të mosalokimit të pjesës së dytë të buxhetit të tij vjetor, si pasojë e moskonstitumit të Kuvendit të Kosovës.
Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove, ndërsa këto mjete i ndahen nga Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa.
Më 15 gusht, Qeveria në detyrë e Kosovës njoftoi se kishte miratuar në parim kërkesën e RTK-së për kredi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro, që mundëson ndihmën financiare për transmetuesin deri në konstituimin e Kuvendit.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Honduzi njoftoi se pas nënshkrimit të marrëveshjes për huadhënie me Ministrinë e Financave, pagat e korrikut për mbi 700 punëtorët e RTK-së janë ekzekutuar më 22 gusht.