MENDJET QË SYNOJNË KOMBIN PAVARËSISHT VITEVE TAKOHEN

28 prill 2022 | 22:59

Në vitin 1963, Imzot Noli, njëra ndër mendjet më të ndritura të Shqipërisë në të gjitha kohrat, do të thonte se :“Ne nuk e çpikëm patriotizmën, atë e gjetëm tek ‘Bleta Shqiptare’ e Thimi Mitkos e vepra të tjera të mëdha. Ne thjeshtë e organizuam dhe e kanalizuam, për të bërë Shqipërinë shtet”.

Noli ishte njëri nga etërit e njohur të atdhedashurisë për kombin.
Sikur asgjë tjetër të mos kishte bërë, vetëm krijimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke e ndarë atë nga patriarkane greke, dhe përkthimi i veprave të mëdha të letërsisë botërore, janë të mjfatueshme për të patur kudo e gjithnjë nderimin për veprën e tij dhe Përmendoren e përjetshme.

Më është kujtuar disa ditë më parë kjo fjalë e Imzot Nolit , kur jo rastësisht, dëgjova të sipërsëritur fjalën e liderit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, mikut tim të vyer, Ali Ahmeti, në një ditë të shënuar për Mehmet Hajrizin, një figurë tjetër e shquar e rezistencës kombëtare në Kosovë.

Mehmet Hajrizi është i njohur për qëndrimet e tij atdhetare, për qendresën në burgjet serbe, për vijueshmërinë e aktivitetit të tij në përkrahjen e Luftës Çlirimtare, në rolin aktiv në delegacionin shqiptar të Kosovës në Rambuje, si zevëndëskryeministër i Qeverisë së Përkohëshme, tani edhe si autor librash politikë dhe historikë.

Ai i takon një brezi pararendës të historisë së krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e një plejade të vitit të shquar 1981.

Po ashtu, pak ditë më parë, Kosova nderoi figurën madhore politike të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, pararendës i UÇK-së, si frymë dhe mendim politik, Fadil Vata.

Por, përse fjala e Ali Ahmetit zgjoi interes te të pranishmit dhe, më pas, kur u publikua, tek njerëzit e zakonshëm?

Ali Ahmeti bëri më shumë se 40 vite që është pjesë e lëvizjeve çlirimtare, e më pas, shtetformuese të shqiptarëve në trojet e tyre në ish Jugosllavi.
I lindur në Zajaz , ai u bë djalë i Shkabajve të Drenicës te familja e Fehmi Lladrovcit; mërgimtar, por edhe i pranishëm në lidhjet e tij me shokët në Kosovë, organizator dhe njeriu i momenteve të vështira.
Sa që në njerën nga mbledhjet e Trupës Drejtuese të LPK-së, pas arrestimeve të gushtit 1993, mbajtur në Tiranë, dhjetor 1993, Hashim Thaçi do të vinte në dukje se „ nuk është e drejtë që vetëm Ali Ahmeti hyn në Kosovë dhe vendos lidhjet mes grupeve, duhet të kemi të gjithë shembullin e tij“.

Ali Ahmeti është , pa asnjë dyshim, njëri ndër më meritorët në krijimin dhe rriten e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si nga të parët anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe, lideri i padiskutueshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

E bëra këtë degresion si shenjë dëshmie se në katër dekada e më shumë ai e ka bërë rrugën e tij politike dhe e ka gdhendur rolin e tij në historië tonë.

E, përsëri, ai e gjen të sotmen në të djeshmen.

E gjen jo tek vetja, por te të tjerët. Jo thjeshtë e vetëm në këtë brez, por edhe në brezat pararendës.

Si e trajton politikën si marëdhëne njerëzore dhe jo si art i të mundshmes.

Në politikë ai është futur për ide dhe vizion, jo për poste politike, ai e ka ndarë veten nga pushteti, por t’i dhënë pushtet njerëzve që përfaqëson dhe që e besojnë prej 22 viteve.

Përmes politikës pragmatiste dhe evolucionare, ai shembi konceptin shovinist makedonas, se kombi shqiptar është pa asnjë edukatë politike.

Të gjithë figurat historike, të cilët lideri i shqiptarëve në Maqedoni Ali Ahmeti, i ka cituar në fjalën e tij në përvjetorit e veteranit të lëvizjes clirimtare, Mehmet Hajrizi, janë në fakt historia e Kosovës në gjysmën e dytë të fund shekullit të shkuar dhe ndërtues të historisë së re të shtetformimit të Kosovës.
Shumë prej tyre janë në bazamentin e kësaj historie, si gurët e themelit të saj dhe frymëzues për brezat shqiptarë, kudo që janë ato.
Virtyti i tyre ishte virtyti i kombit tonë, për të cilin, ata u sakrifikuan denjësisht dhe me ndërgjegje.
Ideali i tyre ishte Kosova e lirë, si hap i parë i zgjidhjes së çështjes kombëtare dhe, së dyti, bashkimi i kombit, si zgjidhje finale e domosdoshme e kombit tonë. Të gjithë këto heronj janë pjesë e shpirtit të Kosovës, por edhe më tej, të të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, në të gjitha trojet.
Nderimi ndaj tyre është respekt ndaj vlerave dhe mirënjohje ndaj sakrificës sublime që ata kanë bërë. Ali Ahmeti me shumë prej tyre, në mos me të gjithë, ka qenë shok dhe bashkëveprimtar, ndaj , duke i rikujtuar ato, sjell ndër mend atë pjesë të rëndësishme të jetës shqiptare në Kosovë dhe atë brez të vitit 1981 dhe, në gjurmët e tij edhe të viteve më pas, që, duke bërë historinë, bënë Kosovën, sepse asnjë popull nuk mund të ketë shtetin e tij, nëse nuk ka historinë që bën secili brez.
Nëse të parët tanë mburreshin me Isë Boletinin, Hasan prishtinën, Bajram Currin, Azem Galicën, Bajram Daklanin, Mic Sokolin, Abdyl Frashërin, Ded Gjo Lulin, brezi ynë, duke mos i harruar të parët, mburret se ishte bashkëkohas me Adem e Hamzë Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Afrim Zhitia dhe Fadil Vata, Luan dhe Shkelzen Haradinaj, me Ilaz Kodrën dhe Mujë Krasniqin, Ilir Konushevcin dhe Zahir Pajazitin, Nuhi Berishën dhe Rexhep Malën, Rasim Kiçinën dhe vllezërit Sylejmani, Xhavit Hazirin dhe Adrian Krasniqin, Xhemajl Fetahun dhe Ismet Jasharin , ndërsa Lëvizja Popullore e Kosovës e ka për nder dhe lavdi që është udhëhequr nga vizionarë të tillë, të cilët mbeten në kujtesën e kombit; por nderimi ynë është për secilin që dha jetën e tij për Kosovën, ia kushtoi mendjen dhe zemrën e tij, shpirtin dhe nuk kursej asgjë për këtë qëllim madhor. Ali Ahmeti gjithnjë ka nderuar ata që bënë historinë, ashtu si brezat e ardhshëm do nderojnë gjithnjë e më shumë edhe figurën e tij, si pjesë e kësaj historie.

Shpesh herë politika e Shqipërisë, në të gjitha trojet , është rrënuar pikërisht nga mohimi i vlerave të krijuara nga brezat që kishin shkuar. Kjo ka sjellë shembjen e një historie, e cila, vazhdimisht është sulmuar nga shovinistët fqinj.

Aliu ka dalë nga kjo vorbull e prapshtë e politikës, ndaj në fjalën e tij në këtë rast, por edhe në Vlorë, në promovimin e librit tim, “Triada e Kosovës”, përmes fjalës së tij, u përkul me nderim ndaj atij brezi dhe atyre burrave dhe grave që bënë historinë.

Njëjtë si Fan Noli në fjalën e tij në vitin 1963.

Mendjet që synojnë kombin, pavarësisht viteve, takohen.

Të falendoj miku im, Ismet Sylejmani për risjellen e detajuar të fjalës së mikut tonë të përbashkët, Ali Ahmeti.

Bedri Islami,
Lublin, Poloni, 28 Prill 2022

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United dhe Chelsea nuk kanë shkuar më shumë se…