
Mercedesi ka plane të mëdha për Antonelli
Në këto dhjetë garat e para në Formula 1, piloti italian Kimi Antonelli ka grumbulluar 63 pikë, duke u ngjitur edhe një herë në podium, në Kanada, në garën e fundit. Ky është podiumi i parë në karrierën e tij, duke shfaqur talentin e tij edhe në provat zyrtare, duke qenë në “top-5” në katër raste.
Në përgjithësi, 18-vjeçari nga Bolonja është padyshim i promovuar edhe nga Mercedesi, që po mbështetet tek ai për të ardhmen. Shefi i Mercedes, Toto Wolff, ka thënë: “Në vitet e fundit, shumë gjëra kanë ndryshuar në Formula 1 dhe të rinjtë duhet të përballen me të gjitha këto risi. Një shembull i mirë është Oscar Piastri, i cili kryeson botërorin. Atij iu desh një vit e gjysmë për të arritur në nivelin e Lando Norris dhe ky është viti i parë që ai është përpara tij. Mendoj se gjithçka ka të bëjë me menaxhimin e gomave. Kjo vlen edhe për Kimi, që nuk i njeh të gjitha pistat dhe ky është një disavantazh i madh”, ka deklaruar Wolff.
Duke vlerësuar të ardhmen e Antonellit, ai ka shtuar: “Ndoshta duhet të vlerësojmë një program trevjeçar për të, duke pranuar se kjo është koha që i nevojitet një piloti të ri për të sfiduar një shok skuadre më me përvojë dhe super të shpejtë. George Russell është ndër pilotët më të mirë në F1 sot”.