Mërgimtarët po zhvasin buxhetin e shtetit të Kosovës, mijëra aplikime për librat shkollorë nga diaspora

31 gusht 2023 | 11:51

Ministria e Arsimit është në telashe që kur mori vendimin që prindërit t’i blejnë vet tekstet shkollore e më pas paratë t’u transferohen nëpër xhirollogaritë e tyre bankare. Ministria do të ndajë nga 80 euro për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për një nxënës.

Në aplikimin përmes platformës eKosova, ndonëse  po paraqiten vështirësi në disa raste, tashmë një telashe tjetër i ka dalë kësaj ministrie. Periskopi ka kuptuar se për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e shkollave fillore janë duke aplikuar edhe individë që nuk jetojnë fare në Kosovë.

Burime brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kanë thënë Periskopit se janë mijëra raste që bashkatdhetarë të cilët tashmë nuk jetojnë në Kosovë, janë duke aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore për fëmijët e tyre. E kjo e ka vënë në siklet MPB-në për shkak se nuk po gjen mënyrë se si ta ndalojë këtë fenomen.

“Me mijëra mërgimtarë janë duke aplikuar për të marrë paratë për librat shkollor. Ministria e Punëve të Brendshme është në dijeni të këtij fenomeni dhe është në hall se ti ta ndalojë këtë”, kanë thënë burimet brenda MPB-së

Periskopi ka kontaktuar MPB-në lidhur me këto pretendime por se numrat kontaktues të këtij dikasteri nuk kanë qenë të qasshëm.

Periskopi ka dërguar edhe e-mail në zyrën për inforimim të kësaj ministrie, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.

Qeveria e Republikës së Kosovës të mërkurën ka ndarë 6,323,380 euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5, dhe 6,617,340 euro për subvencionimin e materialeve shkollore për klasat 1-9.

Deri të hënën që lamë pas, në eKosova për subvencionimin e librave shkollorë kanë aplikuar 32 mijë e 800 banorë, kanë njoftuar zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Vendimi i MAShT dhe dështimi paraprak i kësaj ministrie për të arritur marrëveshje me shtëpitë botuese është kritikuar gjerësisht në Kosovë. Mënyra e subvencionimit përmes aplikimit online është parë nga ekspertët si mundësi për keqpërdorime.

Nga opozita kanë vlerësuar se kjo mënyrë do t’i kushtojë shumë më shumë buxhetit të shtetit sesa marrëveshja me shtëpitë botuese, për të cilat ministria ka thënë se i kanë fryrë çmimet këtë vit.

“Anulojnë tenderin prej 4.8 milionë euro për libra në emër të kostos së lartë, ndërsa për të njëjtin qëllim, veç se tani në emër të subvencionit, ndajnë 6.3 milionë euro”, ka thënë Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK.

Sipas të dhënave të ASK-së nga regjistrimi i fundit i popullsisë i bërë në vitin 2011 numri i banorëve në Kosovë ka qenë 1 milionë e 820 mijë e 631, ndera numri i popullsisë jorezidente me prejardhje nga Kosova del të jetë 703,978 persona.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës këtë muaj ka dështuar që të fillojë me procesin e Regjistrimit të Popullsisë ashtu siç ishte paraparë, më 1 shtator 2023. Kryeministri Albin Kurti ka fajësuar Asociacionin e Kosovës brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit. “Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës të prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023. Pra, dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesë të shkaktuara t’i planifikonte detajet.” – ka thënë Kurti.

Ky proces është shtyrë për dy muaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Faton Bislimi i…