
Mërgimtari në Londër i kërkon Kurtit të bëjë diçka për komandantët në Hagë: Ka ardhë koha t’i bësh do lëshime (video)
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është takuar të martën në Londër me mërgimtarë shqiptarë dhe pasi ka mbajtur një fjalë rasti, ai ka pranuar disa pyetje nga ta.
Njëri prej tyre i ka kërkuar Albin Kurtit që të bëjë diçka për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë për krime lufte.
Në një video të publikuar nga Ermal Hallaçi nuk shihet reagimi i Kurtit, por shihet ndërsa mërgimtari i përmend fjalët që dikur i thoshte lideri i LV-së, se nuk do t’i dorëzonte ata në Speciale.
“Një pyetje e kam. Tri shkronjat e arta – UÇK. Pasha Zotin, me qindra herë të këqyri në YouTube kur iu thua atyre ‘votomëni mua se unë nuk e votoj Gjykatën Speciale’. Do me thënë gjithmonë ke qenë edhe për ata, edhe për vete. Por tash ka ardhë koha pak t’i bësh do lëshime, t’i bësh do ndryshime, edhe ata katër komandantë atje që janë.. duhet të bësh diçka… Por, sado që politikat janë të kundërta me tuajat, ti duhet të dalësh të japësh diçka për ta”, ka thënë mërgimtari.