Merkeli akuzon Poloninë dhe vendet baltike për bllokimin e dialogut me Putinin

06 tetor 2025 | 14:05

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, ka deklaruar se Polonia dhe vendet baltike kanë penguar përpjekjet për një dialog të drejtpërdrejtë me presidentin rus, Vladimir Putin në vitin 2021, një vendim që, sipas saj, ka ndikuar në shpërthimin e luftës në Ukrainë.

Në një intervistë për median hungareze “Partizán”, Merkeli ka rrëfyer se kishte propozuar takime direkte me Putinin për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve, por disa vende të Bashkimit Evropian, mes tyre Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia, i kishin kundërshtuar me forcë këto ide.

“Unë kërkova një format ku BE të kishte kontakt të drejtpërdrejtë me Putinin. Por disa vende e refuzuan. Në fund, kjo mungesë komunikimi ndikoi në mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet”, ka thënë Merkeli.

“Mungesa e dialogut dhe pandemia e COVID ndikuan tek lufta”

Merkeli ka theksuar se përveç kundërshtimit nga disa shtete anëtare, edhe pandemia e COVID-19 luajti rol në prishjen e komunikimit me Moskën.

“Nuk mund të takoheshim, sepse Putin kishte frikë nga pandemia. Kur nuk mund të takohesh, nuk mund të diskutosh mospajtimet përballë, e aq më pak të gjesh kompromise të reja”, është shprehur ish-kancelarja.

Sipas saj, izolimi diplomatik i asaj kohe dhe mungesa e kontakteve të drejtpërdrejta e bënë më të vështirë ndërtimin e një rruge paqësore përpara.

“Evropa duhet të mbetet faktor pengues”

Merkeli ka thënë se, pavarësisht gabimeve të së kaluarës, Evropa duhet të mbetet e bashkuar dhe të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, duke vepruar si një faktor i vërtetë pengues ndaj agresionit rus.

“Sot, Evropa duhet të tregojë forcë dhe unitet. Duhet të jetë një pengesë e besueshme dhe të mos heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën”, ka thënë Merkeli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i mëparshëm i Manchester United, Erik ten Hag, raportohet…