Merkeli në Strasburg, mbështet “ushtrinë europiane”

13 nëntor 2018 | 22:47

Në një fjalim në Parlamentin Europian, kancelarja gjermane, Angela Merkel shpalosi vizionin e saj për të ardhmen e Europës.

Një vit e gjysmë para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe ndërsa është në mandatin e saj të fundit, fjalimi i Merkelit me shumë interes.

Pas presidentit francez, Emmanuel Macron që u shpreh para pak ditësh për krijimin e një ushtrie europiane, çka u prit me kritika të forta nga presidenti amerikan, Donald Trump, edhe kancelarja Merkel u pozicionua në Strasburg.

Ajo u shpreh pro krijimit të ushtrisë europiane. Në Parlamentin Europian në Strasburg, ajo e mbështeti idenë e presidentit francez.

“Ne duhet të punojmë për vizionin që një ditë të kemi edhe një ushtri të vërtetë europiane”, tha Merkel.

Kancelarja Merkel në fjalimin e saj preku edhe çështjen e euros duke theksuar, se euro mund të funksionojë si monedhë e përbashkët, vetëm nëse të gjithë i kryejnë detyrimet e tyre.

“Monedha jonë e përbashkët mund të funksionojë nëse çdo shtet individual përmbush përgjegjësitë e tij për financa të qëndrueshme”, u shpreh Merkel.

Tema e solidaritetit shoqëroi të gjithë fjalimin e saj në Strasburg ndërkohë që Merkel kërkoi edhe një politikë të përbashkët evropiane për azilin.

Shumëkush në Europë beson se mungesa e Angela Merkelit në skenën europiane do të shënojë një fazë të re në politikën europiane, ku aleancat socialisto-konservatore do të pësojnë rënie dhe politikanët populistë do të marrin më shumë pushtet në bllok.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian kanë rënë…