
Merz: Putini po i teston limitet
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka porositur Evropën që të mos e lejojë Rusinë t’i përcaktojë kushtet e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë, duke paralajmëruar se një gjë e tillë vetëm sa do ta trimëronte presidentin rus, Vladimir Putin, “që të kërkojë objektivin e tij të radhës”.
“Putin po i teston limitet që një kohë të gjatë”, ka thënë Merz në parlamentin gjerman, ku po diskutohet për buxhetin e ri.
“Ai saboton, spiunon, vret, përpiqet t’i trazojë njerëzit”, është shprehur kancelari i Gjermanisë, të mërkurën, raporton “DPA”.
Merz ka thënë se kjo u bë e qartë në Poloni, javën e kaluar, kur dronët rusë cenuan hapësirën ajrore të vendit dhe u rrëzuan mbi territorin e tij, për herë të parë.
Putin, po ashtu, po përpiqet të destabilizojë shoqërinë gjermane, ka paralajmëruar kancelari Merz.
“Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, ka deklaruar Merz, duke shtuar se Gjermania po forcon kapacitetet e saj mbrojtëse pikërisht për këtë arsye.
“Ne duhet t’i parandalojmë kundërshtarët tanë nga agresioni i mëtejmë dhe, në të njëjtën kohë, t’i bëjmë më të bashkuar aleatët dhe partnerët”, ka thënë Merz.
Gjermania ka qenë një prej mbështetësve më të mëdhenj të Ukrainës pas pushimit rus në shkallë të gjerë, më 2022.
Sipas ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, Gjermania ua ka kaluar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tani është furnizuesi më i madh i Ukrainës me ndihma ushtarake.