Mes kaosit në Iran, Ali Larijani del si lojtar kryesor

03 mars 2026 | 20:19

Nga Ray Furlong, REL

Ndërsa Irani përballet me pasojat e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, që kanë vrarë disa – e ndoshta edhe dhjetëra – udhëheqës të lartë, Ali Larijani shfaqet si figurë kryesore në pushtetin e mbetur të vendit.

Politikan veteran, me një karrierë që përfshin pothuajse gjithë historinë e Republikës Islamike, Larijani u rikthye vitin e kaluar, pas një pushimi relativ, dhe që atëherë, ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.

Një moment vendimtar për fatin e Larijanit ishte lufta 12-ditore e Iranit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, në qershor të vitit të kaluar.

Vitin paraprak, 67-vjeçarit i ishte ndaluar të kandidonte për president për herë të dytë në tre vjet.

Por në gusht, pas konfliktit, ai u emërua në postin e rëndësishëm të sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit – organit kryesor për hartimin e politikave në vend.

“Disa zhvillime të rëndësishme ndodhën gjatë luftës 12-ditore. Një çështje e madhe, siç u theksua nga zyrtarët në media, ishte llogaritja e gabuar e aftësive mbrojtëse të Iranit”, tha analisti politik iranian në Londër, Babak Dorbeigi, për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë në atë kohë.

“Megjithatë, çështja më kritike – ajo që kishte përparësi mbi të gjitha të tjerat – ishte të kuptuarit se, në kohë lufte, nuk mund të mbështetesh tek udhëheqësi suprem [Ajatollah Ali Khamenei]”, tha Dorbeigi.

Khamenei tani është i vdekur, ndërsa mbrojtja ajrore e Iranit është e mbingarkuar.

Larijani është bërë një nga zërat më të fuqishëm zyrtarë në Iran.

Deri më tani, është zë sfidues – më 2 mars, ai tha se Irani “nuk do të negociojë”.

Ai e pasoi këtë deklaratë me postime agresive në X, duke përfshirë mesazhe që, mësa dukej, tallnin presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Trump e tradhtoi politikën ‘Amerika e para’ për të miratuar politikën ‘Izraeli i pari’”, shkroi ai në një postim në gjuhën angleze me shkronja të mëdha.

Më 1 mars, Larijani njoftoi se është ngritur një këshill i ri udhëheqës i përkohshëm, për të qeverisur Iranin derisa të zgjidhet pasardhësi i Khameneit.

Ky këshill përbëhet nga Alireza Arafi, një figurë e lartë në establishmentin klerik; presidenti Masud Pezeshkian dhe kreu i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.

Sipas Kushtetutës së Iranit, ky këshill do ta udhëheqë vendin derisa Asambleja e Ekspertëve prej 88 anëtarësh të mund të mblidhet për të zgjedhur udhëheqësin e ri suprem.

“Aktualisht, nuk ka shenja të qarta të kolapsit brenda Iranit. Strukturat vendimmarrëse mbeten funksionale. Institucionet e sigurisë po veprojnë në mënyrë kohezive”, shkroi më 2 mars në rrjetet sociale Danny Citrinowicz, studiues i lartë i Iranit në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Universitetin e Tel Avivit.

Larijani lindi në Naxhaf të Irakut në vitin 1958, në një familje klerikësh iranianë.

Familja e tij u zhvendos në Iran kur ai ishte ende fëmijë dhe, si i ri, përjetoi Revolucionin Islamik në vitin 1979.

Ai ishte komandant në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), ku shërbeu midis viteve 1981-83, kaloi një dekadë si udhëheqës i televizionit dhe radios shtetërore nga viti 1994, ishte kryenegociator për çështje bërthamore i Iranit nga viti 2005 deri në vitin 2007 dhe shërbeu si kryetar i Parlamentit nga viti 2008 deri në vitin 2020.

Ai gjithashtu mbajti rolin aktual të sigurisë nga viti 2005 deri në vitin 2007.

Në rolet e tij të larta, Larijani fitoi famë ndërkombëtare, sidomos për mbështetjen që i dha marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore.

Administrata e parë Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje, por Larijani mbeti i përfshirë si këshilltar kryesor i Khameneit për çështjet bërthamore.

Që nga riemërimi i tij në krye të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, pushteti dhe rëndësia e tij u rritën edhe më.

Gjatë shtypjes brutale të protestuesve në janar, Uashingtoni e shtoi atë në listën e të sanksionuarve.

“Larijani ishte një nga udhëheqësit e parë iranianë që bëri thirrje për dhunë, në përgjigje të kërkesave legjitime të popullit iranian”, tha përmes një deklarate Thesari i SHBA-së më 15 janar.

Grupet e të drejtave të njeriut thanë se mijëra njerëz u vranë nga forcat iraniane të sigurisë, megjithëse numri i vërtetë mendohet të jetë shumë më i lartë.

Muajin e kaluar, Larijani vizitoi Omanin për t’u përgatitur për bisedimet indirekte me negociatorët amerikanë, që në fund dështuan të shmangnin luftën.

Ai ishte gjithashtu një vizitor i shpeshtë në Moskë muajve të fundit, por marrëdhëniet me Rusinë nuk arritën ta ndihmojnë në mbrojtjen e Iranit as në këtë dhe as në konfliktin e mëparshëm.

Gjatë kësaj kohe, Larijani dukej se po i qëndronte reputacionit të tij si pragmatist, duke deklaruar se çështja bërthamore është “e zgjidhshme” dhe duke u shprehur i hapur ndaj bisedimeve.

Por kjo, për momentin, është zëvendësuar me një ton më të ashpër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se rritja e çmimeve…