Mes kërkesës për një shtrenjtim tjetër të rrymës, Kurti thotë se dhomat tona janë më të ngrohta sesa normalja
Ditën kur u bë publike kërkesa e KESCO’s që rryma të shtrenjtohet për 21%, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka folur se si në Kosovë qytetarët mbajnë dhomat më të ngrohta sesa normalja, shkruan Reporteri.net.
Gjatë një vizite në një kompani në vend, Kurti ka mbajtur fjalim, ku ndër të tjerash ka folur edhe për energjinë.
Sipas tij, temperaturat nëpër dhoma janë dukshëm më të larta sesa normalja.
“Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të nalta sesa është normale, kemi qef nxehtë. Sa i përket konsumit neve na duhet me menaxhu ngrohjen, sa i përket rritjes ekonomike kjo ka me kërku energji”, ka thënë ai.
Kurti ka folur për rritje të kapaciteteve energjetike, duke thënë se duhet të menaxhojmë pikun e konsumit.
“Ne duhet me menaxhu pikun e konsumit, sidomos gjatë dy muajve të verës…”, ka deklaruar Kurti.
Ndryshe, Kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO, ka parashtruar kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21.3 për qind për vitin 2026 në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.
ZRRE do të shqyrtojë këtë kërkesë dhe do të marrë vendim nëse do ta pranojë ose jo.
Vendimi zakonisht merret në mars dhe hynë në fuqi nga prilli.
KESCO tha se kërkesa u bë “pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e FSHU-së për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është 528.78 milionë”.
Kosova është përballur me shtrenjtim të rrymës edhe vjet, ku ZRRE në prill mori vendim që ta shtrenjtojë rrymën për të gjithë konsumatorët për 16.1%.



