Mesazhi i vërtetë i Ursula von der Leyen: BE-ja nuk erdhi për të festuar, por për të vendosur kushtet

18 tetor 2025 | 12:20

Shkruan: Hisen Berisha 

(Liria politike nuk justifikon destabilizimin.)

Vizita e Ursula von der Leyen në Kosovë nuk ishte thjesht ceremoniale — ajo ishte një sinjal i fortë politik që Brukseli kërkon t’i rikthejë Kosovës një perspektivë për “ëndrren evropiane”, por me kushte dhe afate të qarta.

Së pari, mesazhi i saj ishte: BE-ja nuk e ka harruar Kosovën. Me këtë vizitë, Brukseli synon të tregojë se edhe pse procesi i zgjerimit ballkanik ka qenë i vështirë dhe shpesh kritik, Kosova mbetet në axhendë. Kjo tregon se BE-ja do të vazhdojë të ushtrojë presion dhe të ndërhyjë politikisht, jo vetëm teknikisht.

Së dyti, nga fjalët e saj dhe nga konteksti i takimeve u përçua qartë se rruga drejt integrimit evropian është me kushte, duhen bërë: reforma të thella të drejtësisë, sundim të ligjit dhe stabilitet institucional. Ajo nuk erdhi me premtime boshe, por me kërkesa konkrete.

Së treti, ajo vuri theksin në uljen e tensioneve dhe dialogun si alternativë ndaj konfrontimit, duke aluduar indirekt në krizën politike të brendshme dhe përplasjet që ndodhin. Pas takimit, Von der Leyen deklaroi publikisht: “ulni tensionet”.

Së katërti, kërkesat që ajo ngriti ushtrojnë presion mbi klasën politike kosovare për të hequr dorë nga masat e perceptuara si “ndëshkuese” ose “provokuese” (p.sh. në veri ose ndaj komuniteteve, me theks ai serb), dhe të tregojmë gatishmëri reale për normalizim. Kjo nënkupton se BE-ja kërkon që Kosova të mos e përdorë forcën si zgjidhje të konflikteve të brendshme apo ndër-etnike. Përcaktimi politik yni është intrgrimi politik paqsor dhe i qëndrueshëm.

Po ashtu, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet faktor përcaktues për stabilitetin dhe orientimin strategjik të Kosovës. Në fakt, reagimi i SHBA-ve është busulla politike dhe morale e shtetit tonë. Ky qëndrim nuk përbën ndërhyrje, por kujtesë për rrugën që Kosova duhet të ndjekë: demokraci funksionale, sundim të ligjit dhe partneritet të plotë euroatlantik. Kur Uashingtoni shpreh shqetësim për devijime demokratike, kjo nuk është politikë por paralajmërim për të mbrojtur institucionet nga kapja apo deformimi. Fatkeqësisht, qeveria aktuale ka keqpërdorur edhe raportin me aleatët, duke tentuar ta përdorë patriotizmin si mburojë për paaftësinë dhe izolimin e vet. Por qytetarët e Kosovës e dinë mirë se vetëm lidhja me SHBA-në mbetet garancia e vërtetë e sigurisë, stabilitetit dhe së ardhmes sonë evropiane.

Në të njëjtën kohë, vizita përmbante edhe një mesazh indirekt për Serbinë të zbutur deri në mirazh diplomatik ku Serbisë i sugjerohet se: normalizimi duhet të vazhdojë dhe njohja de facto e Kosovës duhet të avancojë, sepse BE-ja e konsideron këtë proces si parakusht themelor për perspektivën evropiane të të dy vendeve – të Serbisë në veçanti. Po ashtu, BE-ja ka nisur zbutjen e disa masave të mëparshme ndaj Kosovës, por këto lehtësime janë të kushtëzuara me “deeskalimin e qëndrueshëm” dhe funksionimin normal të institucioneve. Përveç faktit se njohja “de facto” nuk është gjëndje e qëndrushe apo e determinon forca, Serbisë nuk po i kërkohet prerë njohja “de jure” e Kosovës.

Përveç faktit se njohja “de facto” nuk është gjendje e qëndrueshme apo e determinon forca, Serbisë nuk po i kërkohet prerë njohja “de jure” e Kosovës. Në mungesë të një kalendari të qartë për pritjet ndaj Kosovës në këtë proces me përkufizimin mirazhor “rrugë drejt integrimeve”, pa afate e mekanizma të matshëm, rrezikon të mbetet premtim i pafund.

Suma sumarum, vizita e Ursula von der Leyen në Kosovë ishte një përmendore e faktit se BE-ja nuk e ka mbyllur dosjen tonë dhe kërkon që ne të tregojmë se nuk jemi vetëm subjekt i premtimeve, por aktor me përgjegjësi.
Ajo nuk erdhi për të festuar, erdhi për të vendosur kushtet. Kur Brukseli flet për “ulje tensionesh”, “dialog pa konfrontim” dhe “reformë të drejtësisë”, ai po na drejton gishtin: ose ecim përpara, ose rrezikojmë të ngecim në status quo.

Dhe mos të mashtrojmë opinionin: kjo vizitë është një alarm për subjektë a degë në politikë që duan të luajnë lojëra radikale, që nxisin tensione dhe përçarje në pikat e dobëta ndër-etnike. Liria politike nuk justifikon destabilizimin. Nëse dëshirojmë realisht rrugën evropiane, kujdesi i Brukselit nuk duhet të shihet si ndërhyrje, por si mundësi që të bëhemi më mirë institucionalisht, ligjërisht dhe moralisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit…