Mesazhi prekës i shkollës për Qëndresën që e humbi jetën tragjikisht

17 dhjetor 2017 | 14:59

Vdekja e hershme e 15 vjeçares, Qëndresa Syla në aksidentin rrugorë, si dhe lëndimi i motrës së saj binjake, ka prekur të gjithë.

Përmes një përkujtimi, Shkolla e Mesme Mjekësisë “Dr.Xheladin Deda”, ku ajo vijonte mësimet ka shkruar disa rreshta mjaftë prekëse, duke ngritur lartë personalitetin e saj që në këtë moshë të hershme rinore.

Ja se si përkujtohet Qëndresa nga shokët dhe shoqet e saj:

Të pikëlluar familje Syla, farefis e miq të familjes, nxënës e mësimdhënës! Sot si asnjëherë, jemi të pikëlluar dhe plot dhimbje në shpirt. Sot po ndahemi fizikisht nga bija juaj, nxënësja dhe shoqja jonë, Qëndresa.

Sot qielli është i zymtë dhe të zymta janë edhe fytyrat tona. Zemrat na janë copëtuar e shpirti na është lënduar nga kjo ndarje. Sot, Qëndresa, ti po ndahesh nga ne, por zymtësinë fytyrave tona do t’ua largojë kujtimi i përjetshëm për ty. Kjo ndarje është e rëndë dhe e dhimbshme për ne. Ti u nise në rrugëtimin në të cilin do nisemi secili prej nesh, se kështu donë Zoti i Madhërishëm.

Qëndresës fatalisht, iu ndërprenë ëndrrat që nuk i kishte të pakta, iu ndal hovi për nxënien e dijës, iu mor e drejta për të shijuar lumturinë dhe kënaqësitë e kësaj bote, e botës së saj të vajzërisë. Qëndresa erdhi bashkë me Agnesën për një ditë në këtë botë, por ajo sot po kthehet e vetme në përjetësi. Agnesa do të na kujtojë atë në dukje e në sjellje, në punë e në vepra.

Qëndresa e donte jetën dhe e tillë ishte, plot jetë. Është kohë e shkurtër që kur të njohëm , por ishe aq e afërt, aq e dashur, aq e shoqëruar dhe aq e formuar për moshën tënde, saqë na duket se te kemi njohur prej vitesh.

Do të kujtojmë për sjelljen shembullore, për ndrojtjen tënde që tregonte pjekurinë e hershme, do të kujtojmë për çiltërsinë dhe pastërtinë e shpirtit. Do të kujtojmë për edukatën me të cilën i bëje krenarë prindërit dhe gjithë neve të cilët të rrinim përreth.
Do na mungosh shumë. Karrigen në klasë na e le bosh dhe ashtu bosh do ta lëmë edhe vendin në bankën tënde, e sipër saj do vendosim një lule kujtim për ty, ashtu siç ishe edhe vet, porsi një lule e njomë, plot jetë e aromë.

Qëndresë, ne do të të kujtojmë përherë sa te jetë jeta dhe kjo ndarje nga ti do të mbetet vragë e thellë në zemrat tona, por kujtimi për ty do të jetë melhem për të.
Njeriu nuk e donë vdekjen, por shpirti e donë përjetësinë! U prehsh në parajsë, Qëndresa! Kujtimi për ty do mbetet i përjetshëm për ne! I lehtë të qoftë dheu i kësaj toke!

Drejtoria e shkollës, nxënësit , mësimdhënësit, i gjithë stafi i SHMLM “Dr. Xhekadin Deda” dhe Këshilli i prindërve në emër të të gjithë prindërve, i shprehin ngushëllime shokëve të klasës së Qëndresës klasës X-1, familjes së ngushtë dhe të gjerë Syla, dhe gjithë miqve dhe të afërmëve të familjes së të ndjerës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët pakistanezë kanë bërë me dije se së paku shtatë…