Messi kritikon MLS-në: Nuk më lanë të luaj, ndikoi në formën time

31 korrik 2025 | 14:26

Lionel Messi ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Major League Soccer (MLS), pasi u pezullua një ndeshje (ndaj Cincinatit) si ndëshkim për mungesën në ndeshjen e All-Star. Pezullimi e la jashtë fushës për një takim dhe sipas argjentinasit, kjo ndikoi negativisht në ritmin e tij, edhe pse Inter Miami fitoi 2-1 ndaj Atlas në Kupën e Ligave.

“Në fillim isha pak i rëndë. Po luaja me vazhdimësi, por në ndeshjen ndaj Cincinati-t nuk më lanë të luaja dhe sot e ndjeva këtë, sidomos në pjesën e parë”, u shpreh Messi. “Të mos luash, edhe pse në pamje të parë mund të duket më mirë, për mua është më keq, sepse kam nevojë për vazhdimësi. Ndihem më mirë fizikisht kur luaj ndeshje rregullisht dhe fitoj ritëm”, ka shtuar kapiteni i Miamit.

Me gjithë mungesën e ritmit, Messi ishte përsëri vendimtar në fushë, duke dhuruar dy asistime, një për Telasco Segovia në minutën e 60-të dhe një tjetër në minutat shtesë për Marcelo Weigandt (90+6’). Në përfundim të deklaratës së tij, Messi foli edhe për debutimin e mikut të tij të ngushtë dhe bashkëkombësit Rodrigo De Paul, i cili bëri ndeshjen e parë me Inter Miamin.

“E njohim njëri-tjetrin prej kohësh, kemi luajtur shumë ndeshje bashkë. Ai sjell një hap cilësor në skuadër. Erdhi me shumë dëshirë dhe sot, pavarësisht se kishte bërë pak stërvitje, dha gjithçka në fushë. Është e vështirë të vraposh këtu, me këtë vapë, lagështi dhe temperatura të larta”, ka shtuar Messi. Përkundër kritikave, Messi vazhdon të udhëheqë Inter Miamin me ndikimin e tij të jashtëzakonshëm si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikalisti Ali Sefaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin…