Messi nuk e mendon pensionimin për momentin: Dua ta shijoj çdo ditë
Ylli i Inter Miamit dhe kapiteni i kombëtares së Argjentinës, Lionel Messi, ka theksuar se nuk po mendon për daljen në pension apo për trashëgiminë e tij në futboll, duke u përqendruar plotësisht në të tashmen dhe në kënaqësinë që i sjell loja.
“Nuk mendoj për këtë, as nuk shqetësohem. Mundohem të shijoj atë që bëj çdo ditë, duke e ditur se koha kalon. Kështu që shijoj të gjitha ato gjëra që, kur je i ri, nuk u kushton vëmendje”, deklaroi fituesi i Kupës së Botës 2022 me Argjentinën.
Messi shtoi se për momentin fokusi i tij është tek lojërat dhe përjetimi i çdo ndeshjeje, pa u menduar për atë që do të vijë më pas.
“Unë përqendrohem në shijimin e të tashmes, jo të së ardhmes apo asaj që mund të vijë. Nuk është diçka për të cilën kam menduar dhe nuk shqetësohem për momentin kur do të dal në pension. Do të jem unë ai që do të vlerësojë gjithçka që kam bërë në karrierën time”, tha ai.
“Për momentin, bëhet fjalë për të vazhduar të shijojmë dhe të vazhdojmë të luajmë”, përfundoi 38-vjeçari, duke lënë të kuptohet se pasioni i tij për futbollin mbetet i pandryshuar.
Edhe pse ka hyrë në fazën e fundit të karrierës, Messi ka përsëritur dëshirën e tij për të luajtur në Kupën e Botës 2026, nëse gjendja e tij fizike dhe mendore do ta lejojë dhe nëse do të jetë ende i rëndësishëm për skuadrën kombëtare.
Së fundmi, ai ka shtuar një tjetër arritje në karrierën e tij të jashtëzakonshme, duke fituar Këpucën e Artë të MLS për vitin 2025, pas një sezoni ku shënoi 29 gola me fanellën e Inter Miamit.



