
Messi për pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026: Ende nuk kam vendosur
Lionel Messi ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 me Kombëtaren e Argjentinës. Sulmuesi argjentinas, i cili shënoi dy gola në fitoren 3-0 ndaj Venezuelës në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror, u shpreh se do të ndjekë ndjenjat e tij për të marrë një vendim.
Ai theksoi se motivimi dhe ndjesia personale janë vendimtare për vazhdimësinë e tij me ekipin kombëtar. “Jam i emocionuar dhe i motivuar për të luajtur. Siç them gjithmonë, eci drejt qëllimit tim ditë pas dite, i udhëhequr nga ndjenjat e mia. Mundohem të ndihem mirë dhe, mbi të gjitha, të jem i sinqertë me veten time”, ka thënë Messi.
“Kur ndihem mirë, e shijoj. Kur nuk ndihem mirë, nuk marr asnjë kënaqësi, kështu që preferoj të mos vij nëse nuk ndihem mirë”. Për sa i përket pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026, Messi u shpreh i rezervuar. “Do ta shohim. Nuk kam marrë ende një vendim në lidhje me Kupën e Botës”, duke sqaruar se vendimin përfundimtar do ta marrë pas përfundimit të sezonit aktual dhe fazës përgatitore. “Do ta përfundoj këtë sezon, do të kaloj nëpër parasezon. Do të shohim si do të ndihem. Shpresoj ta përfundoj mirë këtë sezon të MLS-së, pastaj të kem një parasezon të mirë dhe vetëm pas kësaj do të marr vendimin tim”, ka përfunduar ylli argjentinas.