Messi po mendon për Botëror: Mbrojtja e titullit do të ishte fantastike, do të vendosi në vitin 2026
Prezenca e Lionel Messit në Botërorin 2026 nuk është ende e qartë.
Në një intervistë dhënë për mediumin amerikan “NBC”, tetë herë fituesi i Topit të Artë e ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë me Argjentinën në Kupën e Botës, e cila do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik të vitit të ardhshëm.
Sidoqoftë, ylli i Inter Miamit, sot 38-vjeç, preferon të marrë kohë para se ta marrë një vendim definitiv.
“Të jem në Botëror do të ishte e jashtëzakonshme. Do të më pëlqente të jem në formë dhe të mund ta jap një kontribut të rëndësishëm për Kombëtaren time, nëse do të jem aty. Por, dua ta shoh se si do të jem fizikisht dhe mentalisht në vazhdim”, deklaroi fillimisht ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Paris Saint-Germainit.
Messi së fundmi e vazhdoi kontratën me Inter Miamin deri në vitin 2028, ndërsa precizoi se do ta vlerësojë formën e tij fizike ditë pas dite në fillim të sezonit të ardhshëm.
“Kur të fillojë fazë përgatitore me klubin, do ta kuptoj nëse do të jem ende i dobishëm për skuadrën dhe për Seleccion. Nëse do të jem 100 për qind, atëherë do të vendos”, nënvizoi tutje tetë herë fituesi i Topit të Artë.
Kampion i botës në vitin 2022 në Katar, Messi e mban rekordin e paraqitjeve (195) dhe të golave (114) me “Albiceleste”.
Futbollisti nga Rosario nuk e fsheh dëshirën për ta përjetuar një tjetër aventurë botërore.
“Ta mbrojmë titullin e kampionit do të ishte magjike. Të luash për Argjentinën është gjithmonë një ëndërr, mbi të gjitha në një kompeticion zyrtar”, përfundoi Messi.



