Messi takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë

06 mars 2026 | 15:00

Lionel Messi i ka dhuruar presidentit të ShBA-së, Donald Trump, një top të dekoruar gjatë një ceremonie të organizuar në Shtëpinë e Bardhë për nder të Inter Miamit, përkatësisht triumfit të skuadrës në MLS edicionin e kaluar. Inter Miami e kishte mposhtur Vancouverin në dhjetor për titullin e ligës kryesore të ShBA-së në futboll. Superylli argjentinas ishte lojtari më i vlefshëm për të dytin edicion radhazi. “Leo, ti erdhe dhe fitove, dhe kjo është diçka shumë e vështirë për t’u bërë. Është shumë, shumë e pazakontë dhe sinqerisht ka shumë më tepër presion mbi ty sesa do ta dinte kushdo, sepse ti prisje të fitoje, por thuajse askush nuk fiton”, ka thënë Trumpi gjatë pritjes.

Messi ka hyrë në ceremoni së bashku me Trumpin. Ai i është bashkuar Inter Miamit në vitin 2023 me bujë të madhe.

Argjentinasi nuk ka folur gjatë ngjarjes, që është bërë politike herë pas here. Trumpi ka folur për luftën me Iranin, situatën në Venezuelë, për një njoftim të mundshëm për Kubën dhe madje edhe për tarifat.

Duke iu drejtuar Messit, që eviton fjalimet politike, presidenti Trump është përqendruar kryesisht te sporti. “Mund të kishe shkuar kudo në botë. Mund të kishe zgjedhur çdo ekip në botë dhe zgjodhe Miamin. Nuk të fajësoj. Moti është jashtëzakonisht i mirë. A shkon në Doral? A shkon në Doral dhe luan golf?”, ka thënë Trumpi, duke iu referuar një fushe golfi që e ka ai. “Dua vetëm të të falënderoj që na solle të gjithëve në këtë udhëtim, sepse je tërheqës dhe i talentuar. Je person i shkëlqyer”, i është drejtuar tutje Trump yllit të futbollit. Inter Miami është ekipi i parë i MLS-së i ftuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë dy mandateve të Trumpit në zyrë.

Messi është fitues i tetëfishtë i Topit të Artë, ndërsa e ka udhëhequr Argjentinën drejt Kupës së Botës 2022. 38-vjeçari pritet të luajë sërish për Argjentinën këtë verë, kur Botërori organizohet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
N.T.SH “Creative”, me seli në Gjakovë shpall të pavlefshme numrin…