
“Metodat e punës me fëmijë me çrregullime në të folur” – libër i sapobotuar nga Kolegji Heimerer
Sapo ka dalë nga shtypi libri “Metodat e punës me fëmijë me çrregullime në të folur”, autorësi e Prof. Ass. Dr. Shukrije Baruti, botim i Kolegjit Heimerer.
Ky botim vjen si një kontribut i rëndësishëm në literaturën shqipe, duke plotësuar një boshllëk të ndjeshëm në fushën e logopedisë, edukimit gjithëpërfshirës dhe zhvillimit të komunikimit tek fëmijët.
Libri trajton një gamë të gjerë temash që deri më sot kanë qenë pak të hulumtuara në kontekstin kosovar, duke përfshirë zhvillimin e gjuhës dhe të folurit në fëmijërinë e hershme, shenjat e hershme të vonesave gjuhësore, si dhe qasjet më bashkëkohore për punë me fëmijët që përballen me belbëzim, çrregullime të artikulimit, zërit apo dispraksi verbale.
Libri sjell një qasje të integruar teorike dhe praktike, ku metodat e mësimdhënies, strategjitë e komunikimit dhe ndërhyrjet logopedike lidhen ngushtë me realitetin e institucioneve arsimore në Kosovë dhe më gjerë. Përmes shembujve konkretë dhe udhëzimeve të detajuara për mësues, logopedë dhe prindër, autorja nxit ndërtimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe mbështetës për çdo fëmijë.
Ky botim i Kolegjit Heimerer përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e literaturës profesionale në gjuhën shqipe, duke u bërë një referencë e vlefshme për specialistët e arsimit, terapistët e të folurit dhe të gjithë ata që synojnë të kuptojnë më thellë procesin e zhvillimit gjuhësor të fëmijës.
Libri “Metodat e punës me fëmijë me çrregullime në të folur” vjen si një ftesë për ndjeshmëri, dijeni dhe përfshirje të barabartë në edukim.