Mexhiti – Mickoskit dhe Davkovkas: UÇK është e shenjtë, shqiptarët janë bashkë kur vjen puna te çështja kombëtare

30 prill 2024 | 19:25

“UÇK është e SHENJTË për të gjithë ne dhe askush nuk guxon të prek aty”, ka thënë Izet Mexhiti.

Këto komente, Kryetari i Lëvizjes Demokratike, pjesë e koalicionit “VLEN”, i ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke iu kundërpërgjigjur kështu kandidates nacionaliste të VMRO-së për Presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkovka, pasi që ajo ka propozuar krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së.

“Na vjen keq që me afrimin e zgjedhjeve, VMRO-DPMNE ju kthehet praktikave të vjetra të cilat menduam që i kanë harruar”, ka shkruar Mexhiti.

Kreu i Lëvizjes Demokratike se “VMRO-DPMNE po vazhdon polarizimin me BDI-në” dhe, sipas tij, “kjo është lojë bajate, e vjetëruar”.

“Shqiptarët janë bashkë kur vjen puna te çështja kombëtare”, shtoi.

Ndryshe, Kandidatja për Presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkovka, nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, ka propozuar krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së – në mes të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me komandat suprem Ali Ahmetin, dhe forcave policore e ushtarake maqedonase.

Këtë propozim, Davkovka e ka bërë gjatë një tubimi elektoral në Kumanovë, ku ka cituar të drejtën ndërkombëtare, e cila, në vlerësimin e saj, thotë se disa vepra kundër njerëzimit nuk vjetërsohen asnjëherë.

Në mes të rreshtave, kandidatja nacionaliste maqedonase, ka aluduar në luftën e 2001-së, dhe mundësinë e adresimit të këtyre veprave në një Tribunal Ndërkombëtar.

Jashtë kësaj, ajo ka deklaruar se është koha që Maqedonia e Veriut të ketë president i cili zgjidhet me autoritet të merituar.

“Neve nuk duam forcë, por duam autoritet të merituar. Këtë krenari nuk mund as ta blini dhe as të vidhni dhe as nuk vjen pa meritë. Krenaria vjen me punë”, tha Gordana Siljanovska, kandidate për presidente.

Ndryshe, lufta në Maqedoni kishte filluar më 22 janar të vitit 2001, dhe kishte përfunduar më 13 gusht 2001, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Kjo luftë kishte ardhur si rezultat i keqtrajtimit sistematik që regjimi maqedonas ua bënte shqiptarëve që jetonin në Maqedoni.

Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte komandat suprem, Ali Ahmetin, aktualisht kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim – forca më e madhe politike shqiptare në Maqedoni të Veriut.

Ahmeti, por edhe BDI-ja, gjatë gjithë fushatës elektorale, si në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale (24 prill), dhe në fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare që do të mbahen më 8 maj, kanë qenë cak i sulmeve të vazhdueshme të nacionalistëve maqedonas, konkretisht VMRO-së, dhe liderit të saj Hristjan Mickoski.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një gjykatë në Turqi ka miratuar kërkesën e autoriteteve në…