
Miftaraj: Populli s’ka besim në sistemin gjyqësor, çështjet po vendosen me tytën e kallashit
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se vrasjet në Kosovë dhe Shqipëri janë duke ndodhur për shkak se populli nuk ka besim në sistemin gjyqësor.
Miftaraj ka thënë se në gjykata rastet marrin kohë deri në 15 vite për t’u gjykuar.
“Pse në Kosovë dhe Shqipëri ndodhin vrasje për prona ose për kontestin më të vogël civil? Sepse populli s’ka pikë besimi në sistemin gjyqësor! S’kanë besim se gjykatat vendosin në bazë të fakteve, s’kanë besim se ndahet drejtësi. Edhe kur ndahet drejtësia në gjykatë, të merr kohë 7, 8, 9 e deri 15 vite. Çështjet kontestuese që duhet mu vendos në gjykatë, fatkeqësisht po vendosen me tytën e kallashit. Jeta e njeriut statistikë dhe lajm për kronikat e zeza”, ka shkruar Miftaraj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kujtojmë se një ngjarje tragjike ka tronditur Shqipërinë, ku për disa çadra plazhi mbetën të vrarë 4 persona dhe disa të plagosur.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë shqiptare, në këtë konflikt kanë vdekur katër persona teksa janë plagosur edhe katër të tjetër.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë në “Pulaj Plazh”, teksa në mesin e të vrarëve është edhe një 20-vjeçar.