
Miftaraj: Sot EULEX ka rol mbështetës, jo ekzekutiv
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në emisionin “Five” ka folur për rolin e misionit EULEX në Kosovë, duke rikujtuar ndryshimet thelbësore që ka pësuar ky mision ndër vite.
“Fillet e para të EULEX-it në Kosovë lidhen me mandatin që ai e ka ushtruar në bazë të marrëveshjeve bilaterale mes Kosovës dhe Këshillit të Bashkimit Evropian. Kuvendi i Kosovës pothuajse çdo dy vite miratonte ligjin për mandatin e misionit të EULEX-it, duke deleguar kompetencat, autorizimet dhe një pjesë të sovranitetit tek ky mekanizëm evropian, i cili kishte kompetenca ekzekutive,” tha Miftaraj.
Ai shtoi se deri në vitin 2018, EULEX kishte një mandat ekzekutiv, ku policët, prokurorët dhe gjyqtarët e këtij misioni ishin drejtpërdrejt të përfshirë në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve penale.
“Që nga viti 2018, mandati i EULEX-it ka ndryshuar rrënjësisht dhe sot misioni ka më shumë një karakter mbështetës sesa ekzekutiv,” sqaroi Miftaraj gjatë intervistës.