
Miftaraj: Venecia po ia dëshmon MD-së jokompetencën, arrogancën dhe mungesën e vullnetit politik
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar në lidhje me opinionin e Komisionit të Venecias sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial.
Sipas Miftarajt, të gjitha rekomandimet që ia kanë dhënë Ministrisë së Drejtësisë, kanë dalë të jenë ashtu siç ka vlerësuar Komisioni i Venecias.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë është treguar arrogante, jokompetente dhe pa vullnet politik.
“Komisioni i Venecias prapë paska vendos në mënyrë të njëjtë me analizën, komentet dhe qëndrimet publike të IKD-së lidhur në draftligjin për KPK-në. Sikur MD-ja të kishte interes, reformën në sistemin prokurorial do t’i merrte parasysh komentet dhe këshillat e IKD-së dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sigurisht se ‘kur nuk e dëgjon nënën e dëgjon njerkën’. Komisioni i Venecias po ia dëshmon Ministrisë se Drejtësisë jokompetencën, arrogancën dhe mungesën e vullnetit politik për të përmirësuar sundimin e ligjit. Reforma në sistem prokurorial – dështim. Miratimi i Kodit Civil – dështim Përmirësimi i integritetit dhe kredibilitetit në sektorin e sundimit të ligjit – dështim. Me shpresë së paku gjysmë-vetting-u të mos dështojë”, ka shkruar Miftaraj në “Facebook”.