
Mijëra euro borxh ndaj PZAP-it, partitë rrezikojnë të moscertifikohen për zgjedhjet lokale
Të mërkurën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar liderët e partive politike në vend për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve lokale.
Nga partitë politike është propozuar që muaji tetor të jetë koha për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Por, shumë prej partive politike të cilat pritet të garojnë në këto zgjedhje, ende nuk i kanë paguar gjobat të cilat i morën në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.
Gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë këtyre zgjedhjeve në drejtim të partive politike ishin gjithsej 208 350 euro.
Zëdhënësi i PZAP-së, Mulë Desku, ka bërë me dije se shumë prej këtyre partive ende nuk i kanë shlyer të gjitha borxhet.
Janë gjithsej 112 mijë e 75 euro të papaguara nga partitë politike, të cilat pretendojnë të kandidojnë në këto zgjedhje.
Desku ka theksuar se nëse subjektet politike nuk i paguajnë këto gjoba të shqiptuara nga PZAP-i, nuk do të certifikohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
“PZAP- është duke pritur reflektimin e subjekteve politike që t’i paguajnë gjobat”, ka deklaruar Desku.
Partia e cila ka më së shumti borxh ndaj PZAP-it është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me gjithsej 33 050 euro.
“Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2021, PZAP-i ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në shumë prej 208 350 euro. Lidhja Demokratike e Kosovës, është dënuar në shumë prej gjithsej: 24 600 euro, ka paguar 14 300 euro, papaguar i ka edhe 10 300 euro. Partia Demokratike e Kosovës, është dënuar në shumë prej gjithsej: 66 100 euro, ka paguar 33 050 euro, papaguar i ka edhe 33 050 euro”, ka thënë Desku.
Hiç më mirë nuk është as partia fituese e zgjedhjeve nacionale, si dhe partia drejtuese në vend, Lëvizja Vetëvendosje.
Partia e drejtuar nga Albin Kurti, ishte dënuar në shumë prej gjithsej: 40 700 euro, ndërsa ka paguar 20 350 euro, papaguar i ka edhe 20 350 euro.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është dënuar në shumë prej gjithsej: 52 375 euro, ka paguar 26 375 euro, papaguar i ka edhe 26 375 euro. Nisma është dënuar në shumë prej gjithsej: 22 000 euro dhe ende nuk ka filluar t’i paguajë gjobat”, është thënë në përgjigjen e PZAP-it.
E dënuar në zgjedhjet e kaluara ishte edhe Lista Serbe në shumë prej gjithsej: 2 200 euro dhe është partia e vetme në vend e cila ka paguar të gjitha gjobat.
Në përgjithësi nga gjithsej 208 e 350 euro gjoba të shqiptuara në drejtim të partive politike, janë paguar vetëm: 96 275 euro.
Në nivel të përgjithshëm partitë politike i detyrohen PZAP-it me një borxh prej 112 075 euro.
Duhet përkujtuar që shumë prej partive politike veçse kanë filluar të publikojnë emrat e kandidatëve që do të kenë në këto zgjedhje lokale.
Sa i përket Komunës së Prishtinës tashmë janë zyrtarizuar kandidati i LDK-së, Përparim Rama, kandidati i AKR-së, Selim Pacolli si dhe kandidati i AAK-së, Daut Haradinaj.
Në zgjedhjet nacionale partitë politike, me përjashtim të Vetëvendosjes, kanë pasur një rënie të dukshme sa i përket rezultateve të përgjithshme, ku PDK-ja ka dalë partia e dytë, ndërsa LDK-ja është renditur e treta. /Lajmi.net/