
Milani pëson humbje në miqësoren ndaj Arsenalit
Në miqësoren e parë verore, të zhvilluar në Singapor kundër Arsenalit, Milani është mposhtur me rezultatin minimal 1-0, një humbje e ngushtë në rezultat, por e qartë në lojë dhe dominim. Golin e vetëm të takimit e realizoi Bukayo Saka në minutën e 53-të, pas një pjese të parë ku londinezët e kontrolluan plotësisht lojën.
Statistikat janë të pamëshirshme: 23 goditje në portë për Arsenalin kundrejt vetëm 2 për Milanin, që u detyrua të mbrohej për pjesën më të madhe të ndeshjes. Në pjesën e dytë, Allegri u dha hapësirë të rinjve, mes të cilëve u dallua portieri Torriani, që realizoi katër pritje vendimtare radhazi dhe mbajti rezultatin e ngushtë. Për Milanin, i vetmi rast i pastër ishte një mundësi e humbur nga Leao në pjesën e parë, një shans i artë që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.