
Milani zyrtarizon largimin e pesë futbollistëve
Në ditën e fundit të huazimeve dhe përfundimeve të kontratave (30 qershor), Milani ka zyrtarizuar largimin e pesë futbollistëve që ishin pjesë e skuadrës gjatë sezonit 2024-2025.
Klubi kuqezi, përmes një komunikimi në rrjetet sociale, ka bërë me dije se Joao Felix, Kyle Walker, Andrea Sottil, Luka Joviq dhe Tammy Abraham nuk do të jenë më pjesë e projektit sportiv për sezonin e ardhshëm.
Shumica e këtyre emrave ishin në huazim dhe do të rikthehen në klubet e tyre respektive, pasi Milani ka vendosur të mos rinovojë marrëveshjet ekzistuese dhe të mos ushtrojë të drejtën e blerjes. Kjo lëvizje tregon qartë nisjen e një faze të re ndërtimi në “San Siro”, ku pritet që drejtimin ta marrë trajneri Massimiliano Allegri në bashkëpunim me drejtorin e ri sportiv, Igli Tare.
Ky është hapi i parë në një proces spastrimi dhe rindërtimi të skuadrës, ndërsa drejtuesit kuqezinj janë tashmë aktivë në merkato për të sjellë përforcime që do të përputhen me vizionin e trajnerit të ri. Epoka Allegri-Tare ka nisur zyrtarisht, me Milanin që është gati të rikthehet në nivele të larta.