Miliona euro importe nga Irani, Kosova mund të preket nga tarifat e ShBA-së
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se vendet që bëjnë biznes me Iranin, do të përballen me një tarifë prej 25% për tregtinë që bëjnë me SHBA-në, ku mund të përfshihet edhe Kosova.
Ky vendim vjen në kohën kur Irani po shtyp me forcë protestat antiqeveritare, në të cilat dyshohet se janë vrarë mijëra persona.
Por, çfarë do të thotë kjo për Kosovën, e cila importon disa produkte nga Irani?
Ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve në vend presin që efektet të jenë minimale, pasi shkëmbimet tregtare me Republikën Islamike janë të vogla dhe përbëjnë një pjesë të papërfillshme të ekonomisë kosovare.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar, vlera e importeve nga Irani arriti në 17 milionë euro, ndërsa eksporte nuk u regjistruan.
Megjithatë, kjo shifër gati se është dyfishuar krahasuar me pesë vjet më parë.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) bëjnë të ditur se në këtë institucion janë të regjistruara 23 biznese nga Irani – 5 nga to janë aktive, 16 pasive dhe dy të shuara.
REL-i kërkoi shpjegime se çfarë veprimtarish ushtrojnë ato dhe është në pritje të përgjigjes.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, shpreh bindjen se politikat e Trumpit, sidomos sanksionet ekonomike, nuk e godasin drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës.
“Eksportet dhe importet Kosovë-Iran janë të papërfillshme, nuk ka investime iraniane në Kosovë dhe nuk ka varësi energjetike apo financiare”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.
Ekonomia e tij është dëmtuar rëndë si pasojë e keqmenaxhimit të financave publike gjatë viteve, rënies së të ardhurave nga shitjet e naftës dhe sanksioneve të ashpra ndërkombëtare.
Kjo ka shkaktuar rritje të çmimeve dhe dobësim të monedhës vendase, duke nxitur protesta masive, të cilat vlerësohen si kërcënimi më i madh për regjimin islamik në dekadat e fundit.
Sytrime Dervisholli, ish-drejtoreshë e Departamentit të Tregtisë në MINT, shpjegon se tarifa e re prej 25% do të bëjë që produktet iraniane të jenë më të shtrenjta.
Megjithatë, për shkak të volumit të vogël të importit dhe natyrës joesenciale të këtyre produkteve, kompanitë kosovare mund të orientohen drejt tregjeve të tjera, më afër gjeografikisht, shton ajo.
“Nuk mund të them me siguri se cili do të jetë efekti i plotë i këtij vendimi, pasi ende nuk ka sqarime të detajuara mbi mënyrën e zbatimit dhe mbi atë se cilat produkte mund të përjashtohen nga ky vendim. Është më mirë të presim në ditët në vazhdim për informacionin zyrtar që Shtetet e Bashkuara do të publikojnë mbi mekanizmat e zbatimit të këtij vendimi”, thotë Dervisholli për Radion Evropa e Lirë.



