Mimoza Kusari-Lila: Fyerjet dhe kërcënimet ndaj Vjosa Osmanit janë të papranueshme
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka dënuar gjuhën ofenduese e kërcënuese dhe nxitjen e urrejtjes ndaj Presidentes Vjosa Osmani.
Kusari-Lila ka thënë se debati publik duhet të ndërtohet mbi ide, argumente dhe respekt, asesi mbi fyerje, kërcënime e mizogjeni.
“Në një shoqëri demokratike, kritika ndaj institucioneve dhe bartësve të tyre është e drejtë dhe e domosdoshme. Megjithatë, gjuha ofenduese, kërcënuese dhe nxitja e urrejtjes ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk kanë asnjë arsyetim. Fyerjet nuk janë argument; ato janë delikuencë dhe mbeten të papranueshme në çdo debat publik”, ka shkruar Kusari-Lila.
Në fund, ajo ka thënë se demokracia nuk mbrohet me fyerje, por me argumente.
Prokuroria Speciale ka iniciuar sot rast lidhur me kërcënimet ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Prokuroria njoftoi se rasti penal u iniciua në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik, se sot ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj presidentes së Republikës së Kosovës znj.Vjosa Osmani-Sadriu, në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 paragrafi 1 , nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës””, thuhet në njoftim.
Presidenca e Kosovës ka reaguar sot ashpër ndaj gjuhës së përdorur në debatet politike ku është bërë thirrje për “pushkatim” të Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si nxitje të rrezikshme për dhunë dhe jo si kritikë apo opinion politik.



