Ministri Durmishi: Digjitalizohen të gjitha shërbimet kadastrale
Ministri në detyrë i MMPHI-së, Hysen Durmishi ka bërë të ditur se është përmbyll me sukses procesi i digjitalizimit të plotë të të gjitha shërbimeve kadastrale.
Njoftimi i plotë i Durmishit:
Sot patëm kënaqësinë të shënojmë përmbylljen e procesit të digjitalizimit të plotë të të gjitha shërbimeve kadastrale, një nga hapat më të rëndësishëm drejt modernizimit të administrimit të tokës dhe forcimit të infrastrukturës gjeohapësinore të vendit tonë.
Që nga nesër, qytetarët, institucionet dhe profesionistët do të kenë qasje të plotë, të sigurt dhe të shpejtë në të gjitha shërbimet kadastrale në formë digjitale, pa paraqitje fizike, pa barriera administrative dhe pa vonesa burokratike. Ky transformim nuk është vetëm teknologjik, por edhe një hap i madh drejt një qeverisjeje më transparente dhe më afër qytetarëve.
Kjo arritje u bë e mundur falë angazhimit institucional dhe mbështetjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Si ministri, kemi mbështetur fuqishëm Agjencinë Kadastrale të Kosovës në çdo fazë.
Digjitalizimi i shërbimeve kadastrale nuk është thjesht digjitalizim dokumentesh, por hapja e një epoke të re në planifikimin e territorit, zhvillimin e politikave të qëndrueshme ekonomike, rritjen e sigurisë juridike të pronës dhe garantimin e transparencës e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.
Ky është një sukses i përbashkët i institucioneve, profesionistëve të fushës dhe qytetarëve tanë.



