Ministri Gashi kërkon që ta ruajmë identitetin tonë të krijuar në të kaluarën

09 tetor 21:46

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka reaguar ndaj debatit për ruajtjen e objekteve, gjurmëve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore.

Gashi në një postim në Facebook, ka shkruar se ministria që ai drejton ka për detyrë themelore të zhvillojë dhe zbatojë legjislacionin e standardet ndërkombëtare profesionale të përcaktimit të regjimit të mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës.

Më poshtë postimi i Gashit:

Me interesim të madh kam ndjekur debatin e zhvilluar, argumentet dhe kundër argumentet e hedhura në opinionin publik për domosdoshmërinë e ruajtjes së objekteve, gjurmëve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore apo kujtesës historike kolektive përmes të cilave ne ruajmë identitetin tonë të krijuar në të kaluarën.

Jam i lumtur që ky debat është zhvilluar në këtë mënyrë. Publiku, profesionistët, shoqëria civile, opinioni publik në përgjithësi, shpeshherë janë një nga pikat referente më të rëndësishme për të përcaktuar nëse një aset të trashëgimisë kulturore, duhet ruajtur apo jo.

Ministria që unë drejtoj ka për detyrë themelore të zhvillojë dhe zbatojë legjislacionin e standardet ndërkombëtare profesionale të përcaktimit të regjimit të mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës dhe në këtë drejtim do të nxisë gjithnjë e më shumë përfshirjen e palëve të interesuara nga jashtë ministrisë në funksion të transparencës dhe fuqizimit të zbatimit të ciklit të mbrojtjes efektive të vlerave që i kemi krijuar nëpër kohë.

Në këtë drejtim, institucioneve dhe profesionistëve të Ministrisë së Kulturës, u janë krijuar kushtet që të zhvillojnë një proces profesional, transparent të inventarizimit, shqyrtimit dhe vlerësimit me detaje të propozimeve përkatëse të objekteve dhe aseteve të rëndësishme me vlera të trashëgimisë kulturore si dhe kemi kërkuar, të jenë kujdesshëm në adresimin e shqetësimeve që janë ngritur në opinion nga profesionistë dhe qytetarë të angazhuar publikisht.

Lista e re e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, është finalizuar nga komisionet përkatëse të institucioneve vartëse dhe MKRS-së dhe do të hy në fuqi me datë 10.10.2018, në të cilën janë përfshirë mjaft propozime të reja të aseteve që do të jenë nën mbrojtje.

Gjithashtu, Institucionet e Trashëgimisë Kulturore janë duke hartuar politika dhe projekte konkrete, të bazuara në analiza dhe vlerësime profesionale, të cilat do të adresojnë në mënyrë shumë më gjithëpërfshirëse domosdoshmërinë e ruajtjes së zonave, lagjeve, komplekseve e strukturave të ndryshme arkitektonike me qëllim që të ruajmë identitetin e qyteteve tona, ashtu siç bëjnë shtetet e civilizuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se…