Ministri Gashi: Kosova në mesin e vendeve tjera në Bienale, shtet shumë i respektuar

29 mars 2019 | 16:27

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë të premten në konferencën e parë zyrtare për medie me rastin e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës në Bienalen e Artit 2019 në Venedik.

Në këtë konferencë u prezantua projekti i cili do ta përfaqësojë Kosovën në ekspozitën e 58-të të Bienales së Venedikut.

Ministri Gashi u shpreh i lumtur me përzgjedhjen e Alban Mujës si një artist të dëshmuar brenda dhe jashtë vendit me projektet e tij.

Ai po ashtu ka bërë me dije se pavioni i Kosovës në vitin 2019 ka si komisionere Arta Aganin, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës e cila bashkë me artistin Muja kanë bërë përzgjedhjen e kuratorit Vincent Honore, që po ashtu sipas ministrit Gashi ka një përvojë të dëshmuar si dhe të asistentes që do ta ndihmojë këtë organizim, Anya Harrison. “Ky eveniment rangohet si njëri prej organizimeve më të mëdha kulturore botërore dhe jam shumë i lumtur që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është rikthyer në këtë eveniment në dy vitet e fundit, dhe tashmë jemi pjesë e kësaj ngjarjeje”, ka thënë Gashi, duke shtuar se artistët tanë po e promovojnë Kosovën më së miri. “Janë pikërisht artistët ata të cilët po e bëjnë punën edhe të sektorëve tjerë të cilët janë kompetent për promovimin e shtetit, siç janë ambasadat dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Jam shumë i lumtur që tashmë e kemi targetuar një sektor siç është kultura dhe një komunitet siç janë artistët, ata të cilët po e përfaqësojnë Kosovën gjithandej botës”, ka thënë ministri Gashi.

Ai ka theksuar se prezenca e tij në këtë konferencë është për ta konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Ministrisë dhe të Qeverisë së Kosovës për këtë ngjarje.

Ministri Gashi ka thënë se ndihet i lumtur që Kosova në mesin e vendeve që janë pjesë e Bienales është shtet shumë i respektuar. “Besoj që Kosova, ashtu sikurse vitin e kaluar, do të jetë njëri prej pavijoneve më të vizituara duke pasur parasysh edhe temën që artisti e ka përzgjedhur, një temë shumë interesante që pasqyron përjetimet e tij personale dhe ato kolektive të popullit të Kosovës gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq artisti, Alban Muja, fillimisht ka përshëndetur ministrin Gashi për përkrahjen e këtij projekti dhe komisioneren Agani për bashkëpunim, gjithashtu edhe kuratorët që siç tha ai kanë ndihmuar në zhvillimin e projektit në një dimension tjetër. “Bienalja e Venedikut është një prej evenimenteve më të rëndësishme të artit në përgjithësi dhe nominimi na ka bërë të ndihemi jo vetëm krenar por edhe përgjegjës. Me të gjithë ekipin po mundohemi të bëjmë një punë për përfaqësim të vendit sa më dinjitoz”, ka thënë Muja.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka nderuar me…