Ministri Hasani në Bursa kërkon nga investitorët turq investime më të mëdha në Kosovë

27 prill 2018 | 20:24

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka kërkuar nga bizneset turke që të investojnë sa më shumë në Kosovë.

Ai këtë thirrje e ka bërë në Samitin Ekonomik të Ballkanit i cili po mbahet në Bursa të Turqisë.

Gjatë këtij Samiti, ministri Hasani është takuar edhe me zëvendëskryeministrin e Turqisë, Hakan Çavuşoğlu nga i cili ka marrë edhe një mirënjohje.

Ministri Hasani në këtë samit, ka folur për arritjet e Republikës së Kosovës në krijimin e një ambienti sa më të përshtatshëm për të bërë biznes, reformat ligjore, balancin tregtar, certifikimin e produkteve për eksport.

“Dua t’i them disa fjalë rreth arritjeve të Kosovës dhe reformave ekonomike që i kemi bërë në vitet e fundit. Natyrisht Kosova ka bërë reforma të mëdha në ambientin e të bërit biznes, edhe në një raport të Bankës Botërore jemi renditur në top 10 vendet me reforma më të shpejta që janë bërë në ambientin e të bërit biznes. Kosova ka krijuar një ambient të mirë për të investuar, kemi bërë shumë përparime edhe në kompletimin e reformave ligjore. Ligjet që po i hartojmë çdo ditë po bëjnë që Kosova të ketë një tretman edhe për prodhuesit që tu krijojmë kushte investitorëve nga jashtë”, ka thënë ministri Hasani.

Ai ka treguar se Kosova është duke e zbatuar edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

I pari i MTI-së, ka thënë se 70 për qind e progresit i cili është vlerësuar nga BE-ja, llogaritet të jetë progres i ministrisë që ai e drejton.

“Kemi ende shumë punë për të bërë. Nuk jemi shumë të kënaqur, për shkak të disbalancit tregtar. Kosova duhet te eksportojë më shumë, importi është shumë i lartë dhe po bëjmë shumë punë që të bëjmë një bilanc mes importi dhe eksportit, duke i certifikuar subjektet tona që të jenë konkurrent në tregun evropian”, ka theksuar ministri i Hasani.

Ai me këtë rast ka falënderuar Turqinë për investimet e shumta që ka bërë në Republikën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi dhe dhjetëra bashkëpunëtorë kanë…