Ministri Hoti premton mbështetje për punëtorët privatë dhe sindikatat
Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka pritur në takim njoftues, kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemin, me të cilin ka biseduar për rëndësinë e ndërtimit të komunikimit dhe bashkëpunimit, në të mirë të punëtorëve në sektorin privat.
Ministri Hoti theksoi se në mesin e 9 Projektligjeve në planin legjislativ për vitin 2026, janë disa Ligje të cilat avansojnë dhe forcojnë mburojën ligjore për punonjësit e sektorit privat, ndërkaq theksoi se të gjithë mekanizmat e Ministrisë do të fuqizohen dhe do të jenë shumë aktiv.
Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, e uroi ministrin Hoti për detyrën, duke shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim të sinqertë dhe të hapur, ndërsa përcolli informacione për sfidat me të cilat përballet sektori privat.
Në takimin që u përmbyllë në frymën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, ministri Hoti theksoi se do të jetë i përkushtuar që të ketë rifreskim dhe zbatim strikt të ligjeve aktuale, ndërsa u zotua se shumë punë të mira do të realizohen gjatë këtij mandati, duke i balansuar kërkesat me mundësitë.
Ndërkaq kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, theksoi se problem kryesor momental mbetet moszbatimi i pagës minimale. Ai shtoi se sektori privat përballet me sfida të shumta, duke përfshirë: Mungesën e Marrëveshjes Kolektive; Mosformimin e Gjykatës së Punës; Nevojën për më shumë veprime mbi rrezikshmërinë e punëtorëve në vendin e punës; Mungesën e një fondi për rastet e vdekjeve në vendin e punës dhe Formimin e Këshillit Ekonomiko-Social. “Jemi pajtuar që këto procese t’i shtyjmë bashkërisht përpara”, tha Azemi.



