Ministri Hoti raporton për ekspozitën e Shkëlzen Gashit, premton se do ta propozojë krijimin e ligjit për mbrojtjen e vlerave çlirimtare

08 prill 2026 | 13:13

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka raportuar sot në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, lidhur me ekspozitën e Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të shfaqur ditë më parë në sheshin e Prishtinës, e që e cila nxiti reagime të shumta për shkak të paraqitjes të disa informatave të pasakata. Gjatë raportimit të ministrit nuk munguan as përplasjet partiake mes LDK-së dhe LVV-së. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ngriti pyetje për transparencën e financimit dhe pasojat institucionale.

“Kjo ekspozitë nuk rezulton me të vërtetën historike. Është një devijim që duhet të verifikohet institucionalisht. Mua më intereson të di cili ka qenë financimi i shtetit të kësaj ekspozite, ku është shpërndarë dhe a ka pasur pasoja nga këto devijime historike?”, tha Zemaj. Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, u përgjigj duke thënë se mbrojtjen e vlerave të luftës e ka detyrë morale. “Unë nuk i mësoj prej askujt dhe nuk i kam mësuar as nuk do t’i mësoj nga askush se çka janë vlerat e luftës çlirimtare. Jam rrit dhe lind me to, i kam në familje dhe i jetoj me to. Nuk i mbroj ato vetëm pse kam obligim të punës, por për detyrë morale dhe kombëtare. Ajo që ka ndodhur në dy javët e fundit është krijimi i një opinioni publik sikur ministria ime ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur me ekspozitën. Financimin e kanë bërë disa organizata dhe vet Kuvendi i Kosovës, jo ministria. Nuk mund të heq pllakate që janë vendosur sepse Komuna e Prishtinës ka dhënë lejen”, tha Hoti. Ministri Hoti bëri të ditur se do të propozojë krijimin e një ligji për mbrojtjen e vlerave çlirimtare, për të adresuar çështjet e evidentuara dhe për të garantuar transparencë institucionale në të ardhmen. “Si veprim institucional qa muj me bo në këtë drejtim është dhe kam me kriju ligjin për mbrojtjen e vlerave çlirimtare”, u shpreh ministri. Gjatë diskutimeve pati përplasje mes Zemajt dhe kryetares së Komisionit, Fatmire Mulhaxha Kollçaku. Zemaj kritikoi trajtimin e çështjes nga Mulhaxha-Kollçaku. “Nuk ka politikë këtu kryetare se ju aludoni gjithmonë te politika, nuk ka politikë nëse dikush e ka bë temë politike në të kaluarën ta mbajë në vlerësim e vet personal. Janë faktet dhe ne kërkojmë të mos ketë pasoja më shumë”, u shpreh Zemaj.

Më pas reagoi Mulhaxha-Kollçaku duke e pyetur nëse Zemaj ka kërkuar përgjigje institucionale nga kryetari Përparim Rama për dhënien e lejës për vendosjen e ekspozitës. Zemaj iu përgjigj duke i thënë se “Aq shumë i banalizon temat sa çështjet emocionale historike i përkthen në çështje teknike është për keqardhje”. Kryetarja e komisionit iu kundërpërgjigj me “për keqardhje je edhe ti se po e ndërlidh me aty ku nuk duhet, se këshilltari i kujt ka qenë,. Ma e rëndësishme është kjo se ju doni me hedh gurin”. Debati eskaloi më tej kur Zemaj pyeti për kthimin e fondeve dhe tërheqjen e ekspozitës: “Po, këshilltari i kujt ka qenë? A e ka tërhequr librin apo e ka kërkuar kthimin e fondeve? Ai e ka tërhequr ekspozitën…”Pas këtyre replika të ashpra, deputeti Zemaj u largua nga mbledhja e komisionit. Kujtojmë që ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999” e shfaqur në sheshin e Prishtinës ngjalli reagime në opionionin publik, për shkak të dyshimeve të ngritura për pasaktësi. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) me 30.03.2026  ka njoftuar se ka intervistuar Shkëlzen Gashin nën dyshimin për veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit, si autor të ekspozitës.Më 28.03.2026, Komuna e Prishtinës largoi ekspozitën për masakrat e Kosovës nga sheshi “Nënë Tereza” në kryeqytet. Në anën tjetër, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka organizuar protestë para Kuvendit të Kosovës, në kundërshtim të ekspozitës “Masakrat në Kosovë”. Kurse, kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media më 30.03.2026, për ekspozitën tha se ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, e kishte të tilla që kanë pasur gabime në tekst që duhet të përmirësohen. Sipas Kurtit, ekspozita është e rëndësishme jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e vendit, pasi një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në Kosovë, ose kanë qenë fëmijë dhe nuk e mbajnë mend se çka ka ndodhë. Dhe, në anën tjetër, ka shumë të rinj që kanë lindur pas luftës. “Një ekspozitë e saktë, e drejtë dhe e plotë, mbi të gjitha natyrisht e vërtetë për krimet e Serbisë në Kosovës, unë besoj që duhet të rikthehet sa më parë, madje një datë optimale do të mund të ishte qershori, përkatësisht koha kur shënojmë përvjetorin e 27-të të çlirimit të Kosovës. Dhe është me rëndësi që ajo të mos jetë vetëm në Prishtinë, ta kemi një ekspozitë që është nëpër të gjitha komunat e Kosovës, sepse është vështirë të gjendet ndonjë komunë, ku s’ka pasur vrasje mizore e masakra”– propozoi Kurti. Kurti tha se kanë filluar përgatitjet për padi civile ndaj Serbisë për gjenocid dhe sipas tij, deri më tani nuk ka pasur Qeveri që është marrë seriozisht me krimet e luftës nga Serbia. Kurse, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë tha për ekspozitën se “nëse asgjë, të paktën një gjë ka arritur.

Të na ndërgjegjesojë të gjithëve, pa përjashtim, se sa të nevojshme janë shifrat zyrtare dhe që shifrat zyrtare nuk mund të jenë arbitrare apo të shpikura, por duhet të jenë të vërteta, të sakta dhe për këto shifra duhet të jenë institucionet e forta. ”Dy organizatat Admovere dhe Integra, kanë reaguar pas shqetësimeve në opinionin publik në lidhje me të dhënat e paraqitura për masakrat e kryera në Kosovë në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” e cila ishte hapur më 24.03.2026 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, në 27-vjetorin e fillimit të bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe. Organizatat kanë kërkuar falje për familjarët e viktimave civile të luftës. “Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar”- thuhet në reagimin i cili u bë më 29.03.2026.Sipas reagimit, qëllimi i ekspozitës ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm, “të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë”. Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur më 28.03.2026 se është duke i përcjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ishte vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” është hapur më 24.03.2026 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, në 27-vjetorin e fillimit të bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe. Kjo ekspozitë është organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA. Enver Dugolli, një prej të mbijetuarve të masakrës së kryer nga forcat serbe kundër të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, ka reaguar në profilin e tij në Facebook, duke kontestuar të dhënat e publikuara në panon që flet për viktimat e masakrës në Burgun e Dubravës. Në panon për masakrën në Burgun e Dubravës thuhet se në këtë masakër, e kryer ndërmjet datave 19 e 23 maj 1999, janë vrarë 58 civilë (prej tyre 56 shqiptarë, 1 ashkali dhe 1 boshnjak), nga gjithsej 106 të vrarë. “Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë, e 58 si civilë të paarmatosur : 56 shqiptarë, 1 ashkali dhe 1 boshnjak” – shkruan në pano. “Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta.

Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme” – ka shkruar, ndër të tjera, Enver Dugolli, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës nga LVV. Dy organizatat kanë dhënë shpjegime edhe për rastin i cili kishte marrë kritika në publik, atë të Burgut të Dubravës, duke thënë që janë vrarë “persona të armatosur”, ashtu siç ishte prezantuar në tabelën e ekspozitës. Organizatorët e ekspozitës, ADMOVERE dhe INTEGRA, kanë treguar se për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra janë mbështetur në librin “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq. “Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar” – thuhet në sqarimin e organizatave në Facebook. Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kanë reaguar duke e quajtur si “paraqitje të gabuar të 48 të burgosurve të vrarë në Dubravë si “persona të armatosur”, duke shtrembëruar natyrën e krimit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka…