Ministri i Jashtëm gjerman: Shqetësimet për Groenlandën duhet të ngrihen me NATO-n

12 janar 2026 | 08:06

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi sot se shqetësimet për sigurinë në Atlantikun e Veriut duhet të trajtohen brenda kuadrit të aleancës së NATO-s. “Nëse presidenti amerikan po shqyrton kërcënime që vijnë nga anije apo nëndetëse ruse ose kineze në këtë rajon, ne sigurisht që mund të gjejmë përgjigje të përbashkëta”, u shpreh Wadephul.

Deklaratat ai i bëri gjatë një ndalese në Islandë, në rrugën drejt Uashingtonit, ku pritet të takohet nesër me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Më herët, agjencia Bloomberg raportoi se një grup vendesh evropiane, i udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Gjermania, po diskuton plane për forcimin e pranisë së tyre ushtarake në Grenlandë, me qëllim t’i tregojë presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se Evropa e merr seriozisht sigurinë në Arktik.

Sipas Bloomberg, Gjermania do të propozojë krijimin e një misioni të përbashkët të NATO-s për mbrojtjen e rajonit të Arktikut, duke cituar burime të njohura me planet.

Presidenti Trump deklaroi të premten se Shtetet e Bashkuara duhet ta marrin Grenlandën për të parandaluar Rusinë ose Kinën që ta kontrollojnë atë në të ardhmen. Ai ka pohuar disa herë se anije ruse dhe kineze po operojnë pranë Grenlandës, pretendime që janë mohuar nga vendet skandinave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administratës Trump iu desh pothuajse një vit për të vendosur…