Ministri i Jashtëm iranian “i gatshëm për diplomaci” pas takimit me homologët europianë

20 qershor 2025 | 21:46

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se Irani është gati të “shqyrtojë diplomacinë” me kusht që “agresioni i Izraelit të ndalet”.

Duke folur me gazetarët pas disa orësh bisedimesh me ministrat e jashtëm evropianë në Gjenevë, Araghchi tha:

“Irani është gati të shqyrtojë përsëri diplomacinë dhe sapo të ndalet agresioni dhe agresori të mbahet përgjegjës për krimet e kryera… Ne mbështesim vazhdimin e diskutimit me (Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian) dhe shprehim gatishmërinë tonë për t’u takuar përsëri në të ardhmen e afërt”.

Ndërkohë, ministrat e jashtëm evropianë u thanë gazetarëve se i kërkuan Iranit të zhvillojë bisedime bërthamore “pa pritur” fundin e sulmeve ajrore izraelite.

Ministri i Jashtëm iranian "i gatshëm për diplomaci"

Takimi mes ministrave të Jashtëm europianë dhe delegacionit nga Irani në Gjenevë

“Ne e ftuam ministrin iranian të shqyrtojë negociatat me të gjitha palët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, pa pritur ndërprerjen e sulmeve, të cilën edhe ne e shpresojmë”, tha ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot.

“Është iluzore dhe e rrezikshme të duash të imponosh një ndryshim regjimi nga jashtë. I takon popullit të vendosë për fatin e vet”, shtoi Barrot pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk e përjashtoi vrasjen e udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

Ministrat e jashtëm të Francës, Britanisë, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian bënë komente të shkurtra, por nuk thanë nëse kishte pasur ndonjë përparim të prekshëm. Ata u shprehën të gatshëm për bisedime të tjera.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se është e rëndësishme që SHBA-të të përfshihen në bisedime të mëtejshme dhe në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin.

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, shprehu të njëjtin mendim, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar i kërkon Iranit të vazhdojë diskutimet me SHBA-të.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre persona janë lënduar nga një aksident trafiku që ka…