
Ministri Krasniqi interesohet për cilësinë e naftës, zotohet në mbrojtjen e konsumatorit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, bashkë me inspektorë të tregut ka qëndruar sot në Terminalin doganor në Prizren.
Pas takimit me drejtuesit rajonal të doganës, janë marrë mostrat e naftës në pesë maune për të vërtetuar nëse cilësia e derivateve është në përputhje me parametrat që i përcakton ligji.
Ministri Krasniqi ka thënë se në vazhdën e disa inspektimeve sot është vendos që kontrolli i naftës të bëhet para se ai të shkarkohet nëpër pompa të derivateve për t’u kuptuar se çfarë cilësie po futet në tregun e Kosovës.
“Ne si institucione shtetërore kemi obligim që t’i sigurojmë qytetarët për cilësinë e produkteve që janë në treg. Sot vendosëm që ta vizitojmë këtë terminal për t’u marrë kryesisht me derivatet e naftës ku inspektorët morën mostrat nga 5 maune për t’u kontrolluar cilësia e derivatit”, ka deklaruar ministri Krasniqi.
Në takim me përfaqësuesit e Doganës së Kosovës, doganierët kanë treguar për vështirësitë me të cilat ballafaqohen prej kur kompetencat për kontrollin e cilësisë dhe analizave i janë bartur këtij institucioni.
Ministri Krasniqi ka thënë se do të shqyrtohen mundësitë për të parë nëse duhet që kjo kompetencë t’i kthehet Inspektoratit të Tregut në kuadër të MTI-së.
(Q.R / Epoka e re)