Ministri Kujtim Gashi takoi Nuhi Bytyçin, autori i “Librit të Luftës”

19 mars 2019 | 13:29

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim autorin e “Librit të luftës”, gazetarin dhe publicistin, Nuhi Bytyçi.

Ministri Gashi, ka vlerësuar punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të gazetarit Nuhi Bytyçit në kohë të vështira, veçmas gjatë periudhës së luftës për liri e pavarësi.

“Të rrallë janë ata gazetarë, sikur ishte Nuhi Bytyçi, i cili në vazhdimësi ishte në shërbim të interesave të publikut, duke rrezikuar vetëm për të informuar opinionin drejt për zhvillimet dramatike në Kosovë dhe në viset e tjera etnike shqiptare në rrethana të okupimit dhe të terrorit shtetëror serbo-jugosllav, duke thyer censurën e regjimit totalitar komunist, por edhe duke informuar opinionin botëror nga istikamet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përçuar mesazhin e luftës së drejtë dhe sakrificën e madhe të popullit shqiptar për liri e pavarësi”, ka deklaruar Gashi.

Ministri Gashi e ka përgëzuar autorin Bytyçi për publikimin e memoareve të tij në një libër voluminoz me titull “Libri i luftës”, për të cilin ka thënë se është një projekt shumë serioz, jo vetëm gazetaresk e publicistik, por edhe historik, ngase në mënyrë kronologjike përfshin të gjitha ato ngjarje e zhvillime dramatike të historisë sonë më të re.

Në takim, doajeni i gazetarisë kosovare, Nuhi Bytyçi, e ka informuar ministrin Gashi lidhur me përmbajtjen e “Librit të luftës” në botim të shtëpisë “Armagedoni”.

“Puna e gazetarit nuk është aspak e lehtë. Gazetari gjithmonë është në luftë, në luftë për të vërtetën, në shërbim të së mirës së atdheut të tij dhe të njerëzimit, në shërbim të publikut. Unë kështu e kam kuptuar gjithmonë gazetarinë dhe në këtë frymë jam angazhuar me tërë përkushtimin tim në të gjitha kohërat ”, ka theksuar Bytyçi.

Ai ka rikujtuar se si pjesëmarrës i drejtpërdrejt i shumë ngjarjeve dhe proceseve politike e ushtarake në Kosovë dhe në mbarë hapësirën etnike shqiptare që disa vite ka punuar në prezantimin e tyre në librin e tij i cili është mirëpritur nga opinioni i gjerë.

“Besoj se do të shërbejë si dëshmi edhe për historianët tanë të cilët janë duke punuar në shkrimin e historisë sonë më të re kombëtare”, është shprehur Bytyqi.

Publicisti Nuhi Bytyçi i ka dhuruar ministrit Gashi librin e tij dhe njëkohësisht e ka falënderuar atë për mbështetjen për botimin e librit.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
San Antonio ka mundur 111-105 Golden State, ndeshje e dominuar…